Kryeministri Rama e ka quajtur protestën e pedagogëve si të një pakice prej tyre e të udhëhequr nga ‘non gratat’ e SHIK-sat e tyre.
Ai shkruan se ndaj pedagogëe s’do bëhet asnjë veting, që nuk është thënë e menduar nga qeveria.
Lidhur me kërkesën kryesore të pedagogëve për rritje pagash, Rama shkruan se nuk do ndodhë deri të vijë radha natyrshëm.
“Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh, nën udhëheqjen e nongratave e të shiksave të tyre,flasin për gjoja një Veting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë Veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar! Sa për rritjen e mëtejshme të pagave e përsëris, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme, pas pensionistëve në fundvit dhe pas daljes dimri, kur do të bëjmë bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria!” – shkruan Rama.
Peedagogët protestojnë prej disa javësh ndërsa sot kanë thirrur një protestë kombëtare. Edhe pse zyrtarisht viti i ri akademik ka nisur të hënën, deri tani mësimi i plotë nuk ka nisur në asnjë prej universiteteve të vendit.
Pedagogët i kanë paraqitur qeverisë disa kërkesa, ku kryesoret kanë të bëjnë me trajtimin financiar të tyre. Ata kërkojnë që Shqipëria t’i afrohet Kosovës e Malit të Zi për sa u përket pagave të pedagogëve.
Në protestat e deritanishme ata kanë deklaruar se nuk do tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave duke hedhur poshtë ofertën e qeverisë për rritje page 7% ndërsa kanë pohuar se pedagogët po kërcënohen për të braktisur protestën.