Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi për vdekjen e 32-vjeçarit pas shoqërimit në komisariat: Bledi Çuçi të dorëhiqet, të rinjtë të ngrihen në revoltë


Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar lidhur për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti pas shoqërimit nga Policia.

Në një deklaratë për mediet, Blushi ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ndërsa bën dhe thirrje për protesta.

“Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Lear Kurti, dënojmë me ashpërsi aktin kriminal të përsëritur të vrasësve me uniformë të Policisë së Shtetit, që po u marrin jetën të rinjve shqiptarë në rrugë dhe në ambientet e Komisariateve, si Klodian Rasha dhe Ilvi Meta.

Humbja e një jete në një moshë kaq të re është jo vetëm një tragjedi familjare por trondit thellë besimin e të gjithë qytetarëve tek organet ligjzbatuese, misioni i të cilave është pikërisht mbrojtja e jetës, rendit dhe sigurisë publike.

Bëjmë thirrje për zbardhjen sa më parë të rrethanave të vdekjes tragjike të të riut Lear Kurti dhe vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi të pajustifikueshme!

Kjo ngjarje kaq tragjike, që ka tronditur sërish opinionin publik nuk do të jetë e fundit sa kohë në pushtet të jetë Edi Rama, Bledi Çuçi dhe falangat e tyre të inkriminuara në Policinë e Shtetit, që udhëhiqen me parimin: “Pa krim nuk ka zhvillim”.

Ndaj u bëjmë thirrje të gjithë të rinjve në mbarë vendin të shprehin revoltën e tyre të fuqishme ndaj kësaj vrasje mizore që rëndon në ndërgjegjen e Edi Ramës dhe Bledi Çuçit.

Ministri i Brendshëm duhet të japë menjëherë dorëheqjen!”- tha Tedi Blushi.