Një ngjare e rëndë ka ndodhur natën e mbrëmshme në Tiranë ku një 32-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës pasi ka shfaqur probleme në komisariatin 3 ku ishte shoqëruar nga policia.
Sipas njoftimit zyrtar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, i riu është ndaluar për kontroll nga efektivët e kur i është kërkuar të tregpojë dokumentet është larguar me vrap.
Më pas ai është ndjekur nga policia e është ndaluar në rrugën ‘Don Bosko’.
I riu, i identifikuar si Laer Kurti është shoqëruar në komisariat, ku sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është thirrur ambulanca.
Pas kësaj ai është dërguar me shpejtësi në Spitalin e Traumës pasi gjendja e tij është rënduar, por ka ka ndërruar jetë, thotë AMP-ja. Shkaqet e vdekjes së të riut nuk dihen ende.
Sipas avokatit të 32-vjeçarit, Besart Logu, pas tre ditësh ndaj Kurtit ishte gjyqi ku ai akuzohej për falsikim monedhash pasi i ishin kapur 200 dollarë të falsifikuara.
Avokati theksoi se i riu mund të jetë larguar me vrap gjatë ndalimit me frikën se mund t’i rëndoheshin pozitat duke qenë se ka pasur një dënim me kusht për shitje lëndësh narkotike.
Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
“Informacion paraprak i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP)
Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.
Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.”