Vendosni fjalën kyçe....

Vasili për Ramën: Kryegjobitësi i vendit nuk taton oligarkët e naftës, ERE-n ktheu në rreckë pa autoritet


Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili gjatë diskutimeve në Kuvend për krizën energjetike, tha se “ERE u kthye në një rreckë pa autoritet” pas kthimit të vendimit të qeverisë për vendosjen e fashës 800kWh.

Gjatë fjalës së tij, Vasili e quajti kryeministrin Edi Rama “kryegjobitësi i vendit”.

“Ky debat është nga më të rëndësishmit, është i vonuar. Përballë kemi një qeverisje që krizën do ta përballojë me propagandë, keni dëgjuar se nuk është koha për të folur meqë është luftë. Nuk flasim, vetëm grabisim e ecim përpara. Në vijë të parë të luftës janë ukrainasit dhe kanë çmime më të ulëta. Nuk ka përgjigjje për këtë. Është qesharake, më kujton historitë e Partisë së Punës me tollona dhe u çante dërrasat njerëzve me propagandë nga mëngjesi deri në darkë. Këta bindën gjithë dynjanë me fashën dhe i mbushën mendjen, kemi dëgjuar plot nga këto dëngla, tani na thonë jeni mërzitur ju që nuk u vu fasha se do bënit mitingje me këto. Mos i pandehni njerëzit idiotë, e bënin propagandën ata para viteve ’90 dhe përfunduan keq. U kujtuan pas nja dy javësh dhe dhanë provën që një institucion të pavarur e kthyen në një rreckë pa autoritet, po të duan sot e vendosin, nesër e heqin, ky është një turp.

Nuk jemi për këtë shtet, por për një shtet serioz, jo karagjoz që thotë se u mbush HEC-i me 2 ditë shi. Na del kryeministri, kryegjobitësi i vendit që do të tatojë ata që prodhojnë energji, po për ata oligarkët që ndajnë tavën në krye të bordit të naftës nuk ka tatim? Kush i ha këto? Të njëjtët oligarkë rrisin çmimet e ushqimeve. I sfidoj këta të thonë që këto nuk janë të vërteta. Kanë 10 vite që kanë shpenzuar qindra milliona për të ulur humbjet teknike, dhe rreth 1 miliardë euro nuk i kanë ulur, ky është keqmenaxhim ose ndryshe vjedhje. Çfarë ndodh me shtetin e famshëm, qindra milionë euro janë borxh për mospagesën e energjisë. Këta i kanë, kujt do ia kërkojnë, fajin ia hedhin opozitës se thotë të vërtetën. Hajdutëria ka emër se këta nuk kujdesen për provat. Kontrolli mbi lekët publike do të bëhet çdo ditë, nuk kemi ndrojë për këtë. Me fjalë të thjeshta, kemi propozuar 2 nisma për enegjinë. Tregoni vullnet dhe miratojini që t’i përgjigjemi krizës ashtu si duhet.”– u shpreh Vasili.