Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e 32-vjeçarit në spital pasi shfaqi probleme shëndetësore në komisariat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftim zyrtar


Agjencia e Mbikëqyrje Policore ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë ku një 32-vjeçar ndërroi jetë në Spitalin e Traumës pasi shfaqi probleme në Komisariatin 3 ku ishte shoqëruar nga policia.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në rrugën ‘Riza Cuka’, ku sipas AMP-së, i riu është ndaluar për t’u kontrolluar. Pasi i është kërkuar të nxjerrë dokumentetin e identifikimit, i riu është larguar me vrap, thotë AMP-ja e pas ndjekjes është ndaluar nga policia në rrugën ’Don Bosko’.

Ai është shoqëruar në Komisariatin 3 në Tiranë ku ka shfaqur probleme shëndetësore e më pas është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës duke qenë se gjendja e tij është rënduar por ka ndërruar jetë.

AMP-ja shkruan në njoftimin e saj se për ngjarjen është ngritur grupi hetimor ndërsa po kryhen ekzaminime mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Njoftimi

“Informacion paraprak i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.”