Një diplomat ukrainas, i cili deklaronte kohë më parë në një intervistë se duheshin vrarë sa më shumë rusë që të ishte e mundur, është shkarkuar nga posti i ambasadorit në Kazakistan.
Presidenti Zelensky urdhëroi shkarkimin e Pyotr Vrublevskyn, sipas një dekreti të publikuar në faqen e tij të internetit. Vrublevsky shkaktoi polemika në gusht kur dha një intervistë me një blogere kazake. Kur u pyet për gjendjen në Ukrainë asokohe, ai tha:
“Cfare mund te them?…Ne po përpiqemi të vrasim sa më shumë rusë të jetë e mundur. Sa më shumë rusë të vrasim tani, aq më pak do të duhet të bëjnë fëmijët tanë. Kjo është.”
Vërejtjet zemëruan zyrtarët në Kazakistan, i cili ka një pakicë të madhe etnike ruse. Kritikët akuzuan të dërguarin ukrainas për nxitje të urrejtjes në vend. Mësohet se ai kërkoi falje për fjalët e tij pasi u thirr në Ministrinë e Jashtme dhe më pas shkoi me pushime.
Kazakistani tha se Vrublevsky do largohej sapo të dërgohej zëvendësuesi i tij dhe mohoi se po bashkëpunonte me të në cilësinë e tij zyrtare. Astana nuk pranoi ta dëbonte ambasadorin ndërkohë.
Mund të duhen muaj që Kievi të zëvendësojë diplomatin, siç tregon shembulli i fundit i ish-ambasadorit ukrainas në Berlin. Andrey Melnik u bë i famshëm për përdorimin e gjuhës fyese teksa fliste për zyrtarë gjermanë dhe figura të tjera publike.