“Fake News”- Kështu i ka konsideruar organizata RCC ato çfarë publikoi dje një media malazeze, e cila thoshte se Sekretarja e Përgjithshme e saj Majlinda Bregu është nën hetim për abuzim me fondet kësaj organizate.
Në një reagim publik, RCC thotë se ka nisur procesin ligjor dhe diplomatik, për të zbuluar arsyet që çuan në këto “sulme dhe trillime” ndaj organizatës dhe Sekretares së Përgjithshme.
Media malazeze e akuzonte dje Bregun se në një nga tenderat ka favorizuar një kompani shqiptare që nuk ka kaluar “Komisionin e Brendshëm”, në vend të kompanive të tjera nga rajoni që plotësonin kërkesat dhe se ajo po hetohej nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
REAGIMI I PLOTË I RCC
RCC njihet si një organizatë serioze dhe e përgjegjshme, për këtë arsye nuk komenton as spekulimet dhe as trillimet, ndaj në respekt dhe të informimit publik, RCC ka nisur të ndjekë çështjen, duke respektuar nismat dhe hapat e duhur, përfshirë ato diplomatike, për të verifikuar arsyet pse ka nisur ky sulm e këto trillime, të pabazuara në asnjë të vërtetë.
Ky reagim vjen pas shpifjeve të bëra në artikullin e së përditshmes malazeze Vijesti, të datës 20 tetor dhe të përcjella nga disa media të tjera, si lajm i rremë (fake news), ndaj RCC-së dhe Sekretares së Përgjithshëm, Majlinda Bregu.
Ne vlerësojmë, mbështesim dhe luftojmë fort për lirinë e medias, por keqinformimi, përhapja lajmeve të rreme, shpifjet dhe trillimet nuk janë të pranueshme.
Në punën tonë, ne mbështetemi në statutin e organizatës, rregullat dhe procedurat e miratuara, duke përfshirë kodin e sjelljes, por edhe në ndershmërinë, integritetin, besueshmërinë dhe faktet. Nga këto parime duhet të udhëhiqen të gjitha organizatat dhe individët.
RCC-së është një organizatë që krenohet me punën e saj, si dhe me transparencën dhe përgjegjshmërinë e aktiviteteve të saj, të cilat ndiqen nga afër, auditohen dhe vlerësohen rregullisht nga të gjithë anëtarët e bordit, tek të cilat RCC raporton rregullisht, bazuar në Statutin e saj.
Fokusi ynë në ditët në vijim janë përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, mbi rezultatet e të cilit Sekretariati i RCC ka punuar gjatë dhe fort, me qëllim përfitimet e prekshme për qytetarët e këtij rajoni.