Një auditim në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve del në përfundimin se borxhi tatimor është rritur në mënyrë më të shpejtë gjatë vitit 2021 në raport me vitin paraardhës.
Edhe numri i subjekteve debitore është rritur dukshëm kur krahasimi bëhet me vitin 2020.
Kontrolli i Lartë i Shtetit sjell në vëmendje se gjendja e detyrimeve të papaguara në fillim të vitit 2021 paraqitet në vlerën rreth 122,4 miliardë lekë apo më shumë se 1 miliard euro që i përket një numri prej 168,851 subjektesh debitore, dhe në fund të vitit 2021 këto detyrime rezultojnë në vlerën rreth 134,935 milion lekë(1.12 miliard euro) që i përket një numri prej rreth 192,701 subjektesh debitore.
“Pra, nga krahasimi i situatës në fund të vitit 2021 me atë të fillim vitit, rezulton një rritje prej rreth 12.5 miliard lekë të detyrimeve të papaguara dhe me 23,850 të numrit të debitorëve të shtuar në fund të vitit. Krahasuar me një vit më parë (ku rritja e pësuar neto e detyrimeve nga 01.01.2020 në 21.12.2020 ishte me rreth 5.4 miliard lekë dhe 17,609 subjekte debitorë) kjo rritje paraqitet e konsiderueshme, si në drejtim të vlerës së detyrimeve të papaguara, ashtu edhe në numër subjektesh debitore. Krahasuar me vitin paraardhës, gjendja e detyrimeve të papaguara në fund të vitit 2021 rezulton 12,467 milion lekë më shumë të vlerës së detyrimeve dhe me një rritje prej 23,850 të numrit të subjekteve debitorë” vlerëson KLSH.
Audituesit kanë konstatuar se stoku i detyrimeve të papaguara rritet me një ritëm më lartë se sa pakësohet (mblidhet) veçanërisht nga subjektet që administrohen nga DRT Qendror ku vlera e detyrimeve të shtuara është rreth 2-fish më shumë se e atyre të pakësuara.
“Me rritje rezultojnë edhe numri i subjekteve debitorë në proces gjyqësor, i cili deri në fund të vitit 2021 paraqitet në 1,592 subjektesh me një vlerë prej rreth 14,298 milion lekë të detyrimeve të papaguara, pra rreth 130 subjekte më shumë se një vit më parë, dhe me një vlerë të detyrimeve të papaguara të ankimuara në gjykatë prej rreth 576 milion lekë më shumë. Për sa i përket trendit të proceseve gjyqësore me vlerë më të madhe sipas rajoneve, situata paraqitet e ngjashme me një vit më parë, ku Rajoni Qendror rezulton me një vlerë të detyrimeve të ankimuara prej rreth 9,247 miliard lekë për 1,142 subjekte, ndjekur nga DRT VIP me rreth 3,138 miliard lekë për 96 subjekte” thuhet në auditim.
KLSH nënvizon se evidencat e raportimit të borxhit janë tepër sintetike, gjë e cila nuk mundëson kryerjen e analizave të detajuara në nivel DRT -je, ku edhe në vijim të kërkesës së grupit të auditimit për të dhënat analitike të detyrimeve tatimore të pa paguara në rang subjektesh debitore/tatimpaguesish sipas vlerave respektive të këtyre detyrimeve, me qëllim analizimin e subjekteve që përbëjnë edhe pjesën më të konsiderueshme të këtij stoku, ky informacion nuk u vendos në dispozicion përgjatë periudhës së auditimit në terren.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor