Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja dëshiron të përdorë asetet e ngrira ruse për të financuar Ukrainën


Udhëheqësit e BE-së kanë udhëzuar Komisionin Evropian që të përgatisë propozime për mënyrat e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës, raportuan mediat ruse të premten. Deklarata vjen pasi krerët e BE-së përfunduan një samit dyditor në Bruksel.

“Duhet të flasim për përdorimin e aseteve të ngrira ruse që kemi. Kemi mbi 300 miliardë euro dhe duhet gjetur mënyra si mund t’i përdorim ato në dobi të Ukrainës.” – tha të premten kryeministrja estoneze Kaja Kallas, cituar nga CNN.

Ligjërisht, fondet e ngrira ende i përkasin Rusisë ose qytetarëve të saj. Për t’i shpenzuar ato pasuri, BE-ja duhet të gjejë një mënyrë për t’i konfiskuar ato. Sipas raporteve të medias, udhëheqësit e BE-së do diskutojnë konfiskimin e mundshëm të aseteve të ngrira ruse në një samit në Bruksel në maj.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se BE po kërkon t’i sigurojë Ukrainës rreth 1.5 miliardë euro çdo muaj. Ministrat e Financave të bllokut janë ngarkuar të mbledhin paratë.

BE-ja sekuestroi pronat që u përkisnin biznesmenëve dhe kompanive ruse, së bashku me asetet e Bankës Qendrore Ruse, si pjesë e sanksioneve kundër Moskës. Ideja e përdorimit të fondeve në Ukrainë u parashtrua për herë të parë disa muaj më parë dhe u mbështet nga politikanë të tillë si presidenti ukrainas Vladimir Zelensky, ish-kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Zyrtarët më të lartë amerikanë, përfshirë Sekretaren e Thesarit, Janet Yellen, paralajmëruan se përdorimi i këtyre fondeve në Ukrainë mund të ishte i paligjshëm dhe do shkurajonte vendet e tjera që të investonin në Shtetet e Bashkuara.

Rusia kritikoi ashpër sekuestrimin e aseteve të saj nga vendet perëndimore, me ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov që tha se ngrirja e aseteve në thelb përbën vjedhje.