Kreu i PD-së Berisha tha mbrëmjen e sotme se në fillim të javës së ardhshme do përcaktojë datën e protestës.
Ai e bëri deklaratën gjatë një takimi me krerët e degëve në rrethe ku shprehu solidaritetin e mbështetjen e fuqishme të selisë blu për protestën e pedagogëve.
Berisha tha se demokratët e shqiptarët nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç qëndresës kundër kryeministrit Rama.
“Ne alternativë tjetër nuk kemi, por të qëndrojmë kundër këtij njeriu me të gjithë forcën tonë. Ky pasi shkatërroi sistemin shëndetësor, përgjysmoi në mënyrë të rrufeshme numrin e mjekëve, brenda katër viteve. Pasi me politikat që ndoqi bëri të mundur që Covidi të bëjë kërdëni mbi shqiptarët dhe vdekjet të arrijnë këtu në katër vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë. U është vërsulur universiteteve, na la dhe pa universitete. Një praktikë djallëzore antishqiptare shpopullimi. Po si të mos protestojë profesori i universitetit kur merr një rrogë katër herë më të vogël se shoferi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Si të mos protestojë asistenti i universitetit kur merr një rrogë më të vogël se punonjësi i fasonerisë. Si të mos protestojë profesori i universitetit i cili detyrohet të paguajë me lekët e veta çdo artikull që boton, kur në diktaturë na paguanin. Revista në të cilën ne botonin na jepte lek. Kurse këtyre duhet të paguajnë çdo artikull. Ua mbylli aktivitetin shkencor vetëm e vetëm se si të përthahen, të zhvishen si studiues dhe të mbesin thjeshtë ligjërues në auditore. Si të mos protestojë universiteti.”
Ai tha më tej se gjendja e biznesit në vend është katastrofike dhe se largimi i qytetarëve nga vende është me ritme të frikshme. Berisha tha se përveç protestave masive,opozita duhet të parashikojë të gjitha mjetet e mosbindjes civile.
Gjendja në biznesin e vogël është katastrofale. I pret tani si shpatë taksa 23%. Profesionet e lira, taksa 23 % që edhe ata të ikin sa më shpejt, të marrin valixhet dhe të ikin nga Shqipëria. Ku do të shkojmë ne. Ne duhet detyrimisht t’iu dalim zot këtyre. Duhet të na shohin se jemi në këmbë, në rrugë në përballje me këtë regjim antishqiptar. Ky është një mision i madh për ne. Ne nuk na mungon asgjë sot. Njerëzit janë si kurrë më parë të gatshëm për betejë. Na pyesin çdo ditë, ju, mua dhe të gjithëve, çfarë po bëni, pse nuk po ngriheni. Kjo është e vërteta. Kjo kërkon që ne të shumëfishojmë kontaktet.
Shpjegimet tona ne i kemi të vërteta. Të ulemi me demokratët, socialistët e vërtetë, njerëzit pa parti. Këtu çdo ditë më vijnë socialistë të cilët nuk janë rilindas, por socialistë dhe përjetojnë të njëjtat situata. Hajde të bashkojmë kauzën. Kemi kauzë të drejtë. Të dy proceset janë jetike dhe kam besim tek ju që do të bëni gjithçka, që njëri të mos pengojë tjetrin dhe të bëni gjithçka që te ecim me shpejtësinë e duhur. Këto dy tre ditë ne do të përcaktojmë datën e protestës së përgjithshme. Por krahas saj duhet të ketë protesta të tjera. Duhet të parashikojmë të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Ky e konsideron Shqipërinë si një plaçkë të tij. Ky i konsideron interesat kombëtare, si interesa personale të tij dhe nuk pyet për kombëtaret. Ky ka vetëm një qëllim, pasurimin e tij të paligjshëm.” – shtoi Berisha.