Kreu i PD-së Sali Berisha ka deklaruar se së shpejti do të përcaktohet dita e nisjes së protestave të opozitës.
Në një konferencë me gazetarët, ai u shpreh se sot do të zhvillohet një takim me kryetarët e degëve në rrethe, ku çështjet kryesore që do diskutohen janë protestat dhe primaret.
“E dyta çështje është protesta, sot ka një takim të rëndësishëm me të gjithë kryetarët e degëve të rretheve. Takimi ka dy çështjes kryesore, primaret dhe protestën. Po shkojmë drejt përcaktimit të fillimit të ditës së fillimit të protestave. Ky përcaktim do jetë i afërt. Do ua komunikojmë, strukturat do e bisedojnë dhe pastaj do keni vendimin përfundimtar.
Situata është e padurueshme. Biznesi dhe shtresa e mesme pas zhytjes në mjerim të shtresës së varfër janë kurbanët e radhës të politikave të hajnisë dhe brutalitetit të qeverisë.”- tha Berisha.
Ndërsa sa i përket skenarit të protestave, ish-kryeministri u shpreh se do përdoren të gjitha format e mosbindjes civile.
“Skenari i opozitës nuk përjashton asgjë nga mosbindja civile, të gjitha format e mosbindjes civile mund dhe do të jenë të pranishme. Se cila do të jetë kronologjia e tyre kjo mbetet për t’u parë, për t’u studiuar.
Do nisë një protestë që kërkojmë t’i japim mësimet e duhura regjimit monopartiak të Edi Ramës.”– tha ai.