Vendosni fjalën kyçe....

Dorëheqja e Truss/ Kandidatët që mund t’i futen garës për drejtimin e konservatorëve


Një ditë pas dorëheqjes së Liz Truss, mediet britanike kanë zbuluar kandidatët potencial në garën për drejtimin e konservatorëve në Mbretërinë e Bashkuar.

BBC shkruan se ka indikacione se ish-kryeministri Boris Johnson, Rishi Sunak dhe Penny Mordaunt do të jenë kryesuesit e garës për drejtimin e partisë dhe postin e kryeministrit.

Kandidatëve do t’u duhet të sigurojnë një minimum prej 100 nominimesh deri të hënën në drekë për të vazhduar në votim – shumë më i lartë se pragu prej 20 deputetësh që qe i nevojshëm në garën për të zëvendësuar Johnsonin.

Sunak, Johnson dhe Mordaunt tashmë kanë arritur secili një mbështetje të fortë të hershme nga deputetët.

Boris Johnson

Johnson, aktualisht me pushime në Karaibe, nuk e ka deklaruar zyrtarisht synimin e tij për të kandiduar, por mbështetësja e tij e vendosur Nadine Dorries tha se ajo foli me të pas dorëheqjes së Truss dhe la të kuptohet fuqishëm se ai po përgatitej të kandidonte. Një pjesë e vogël e mbështetësve më të mëdhenj politikë të Johnsonit po i bëjnë presion ish-kryeministrit që të rikthehet.

Rishi Sunak

Ish-kancelari Sunak, është favoriti i basteshkruesve. Raportet që citojnë njerëz të përfshirë në fushatën e tij të mëparshme thonë se ai do të kandidojë përsëri.

Penny Mordaunt

Penny Mordaunt, e konsideruar si një pretendente e mundshme pasi doli e treta midis deputetëve në garën e fundit, gjithashtu është supozuar të kandidojë, pasi dje tha se ajo do të “mbante qetësinë dhe do të vazhdonte“.

Ndërkohë, disa deputetë dëshirojnë që Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace të futet në garë, megjithëse ai nuk ka dhënë asnjë indikacion se synon ta bëjë këtë.

Emra të tjerë përfshijnë Suella Braverman, e cila u detyrua të largohej nga posti i Sekretares së Brendshme nga Truss, si dhe Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare Kemi Badenoch. Që të dyja ishin në garën e fundit, megjithëse ato mund të kenë vështirësi për të marrë nominimet.