Vendosni fjalën kyçe....

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Pence lë të kuptohet se mund të mos e mbështesë Trump


Ish-zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence la të kuptohet se ai mund të mos mbështesë ish-shefin e tij Donald Trump nëse ai nominohet për garën presidenciale të vitit 2024.

“Epo, mund të jetë dikush tjetër që do parapëlqeja më shumë.” – i tha Pence një turme në Universitetin Georgetoën kur u pyet nëse ai do e mbështeste Trump, nëse do kandidonte përsëri për president dhe do të bëhej kandidati republikan.

“Ajo që mund t’ju them është se kam besim të plotë se Partia Republikane do e zgjedhë lidershipin e duhur.” – shtoi ai.

“I gjithë përqendrimi im është te zgjedhjet afatmesme dhe kështu do jetë edhe për 20 ditët e ardhshme. Pas kësaj, ne do mendojmë për të ardhmen, tonën dhe të kombit dhe do t’ju mbaj të informuar.”

Sipas analistëve politikë, komentet e Pence janë treguesi i fundit i mundshëm se ai mund të konsiderojë kandidimin për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA.

Pence, i cili u nda me Trump pas akuzave të këtij të fundit për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe ngjarjeve të bastisjes së Kapitolit në SHBA më 6 janarit në 2021, i është shmangur deri tani kritikave publike ndaj Trump.

Edhe pse ka lënë të kuptohet se ai mund të jetë një kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump nuk ka bërë një deklaratë të qartë për kandidaturën e tij deri më tani.