Vendosni fjalën kyçe....

KKT miraton 8 konfiskime pallatesh dhe një transferim si dhe procedurat administrative të ndërtimeve pa leje


Foto ilustruese

Mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar të Territorit është ndalur tek ndërtimet pa leje që kalojnë tek shteti për t’u përdorur për interes publik ose strehim social.

Nisma e disa javëve më parë e qeverisë ka rezultuar me shtatë vendime për konfiskim të marra nga KKT , një vendim për transferim nga privati tek shteti për këtë qëllim dhe dy të tjera që lidhen me procedurat administrative për shqyrtim dokumentesh në rastin e ndërtimeve pa leje.

Konkretisht KKT ka miratuar kalimin e disa kateve nga një ndërtim në qendër të Tiranës, projekt ky i hershëm i njohur si “Eyes of Tirana”.

Në këtë ndërtim shteti përfiton një sipërfaqe prej 4200 metrash që është deklaruar se do të kalojë për banim të atyre që janë prekur nga projektet publike. Shtatë vendime të tjera parashikojnë konfiskime ndërtesash nëpër kryeqytet në zona si në Myslym Shyri, Rruga e Elbasanit, Kont Urani apo rruga Qamil Gurnjaku.

Qeveria nisi konfiskimin e ndërtimeve pa leje dhe kalimin e tyre tek fondi që do të përdoret për strehimin e atyre që preken nga ndërtimet për interes publik apo për strehim social në javën e parë të shtatorit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Blinda Balluku do të deklaronte se në mbledhjen e qeverisë kishte kaluar një vendim “Për rregullat për konfiskimin për interes publik për ndërtimet pa leje me qëllim fitimi” i cili , ka t bëjë me të gjitha ndërtesat pa leje ose  për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga Bashkitë.

“Të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik. Do t’i jepen atyre qytetarëve që preken nga projektet publike ose do të përdoren si fonde për të shpronësuar të gjithë qytetarët të cilët sërish preken nga projektet publike. I gjithë ky proces është i gjatë por ka qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese që shkelin ligjin dhe duke qenë nën mbikëqyrjen e institucioneve tona. Për çdo ndërtesë, e cila tashmë rezulton se ka shkelur lejen apo për çdo ndërtesë pa leje, do të ketë investigim për ato institucionet që kanë si detyrë kontrollin e territorit dhe kjo gjë ka ndodhur nën hundën e tyre pasi ne identifikojmë se ka edhe një tolerancë nga vetë institucionet për t’i lënë kompanitë në abuzim” do të shprehej Balluku.

Pas kësaj për ditë të tëra përfaqësues të qeverisë do të shfaqeshin nën godina të ndryshme në kryeqytet për të theksuar se kjo e fundit ishte prekur nga aksioni i nisur për konfiskimin e asaj pjese që nuk kishte respektuar ligjin.

Vendimet e KKT të datës 19 tetor

  1. Për miratimin e procedurave administrative të ndryshimit të lejeve të zhvillimit/ndërtimit të objekteve që do të kalojnë në pronësi shtet, për nevoja të strehimit social apo për interes publik.
  2. Për miratimin e procedurave administrative të shqyrtimit të dokumentacionit të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllime fitimi, që konfiskohen për interes publik.
  3. Për transferimin në favor të shtetit me kontratë premtim shitje me vlerë 1 euro, të sipërfaqes së ndërtimit në objektin: “Godinë polifunksionale “Eyes of Tirana” 6, 8, 9, 13, 18 dhe 24 kat, me 4 kat nëntokë, faza e I-rë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Ideal Construction” sh.p.k.
  4. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Hotel 5 dhe 6 kat, me 2 kat nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Qamil Guranjaku”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “RT MAX” sh.p.k.
  5. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 kat, me 2 dhe 3 kate parkimi nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Hiqmet Buzi”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Devis Construksion” sh.p.k.
  6. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 6 kat, me 2 dhe 4 kate parkimi nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Hiqmet Buzi”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Laxmi Real Estate & Investment” sh.p.k.
  7. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Objet 7 kate, me 2 kate nëntokë”, të ndërtuar pa leje për qëllim fitimi, brenda sheshit të ndërtimit të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6 kat, me 2 dhe 3 kate parkimi nëntokë”, me vendndodhje në RR. “Hiqmet Buzi”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “Devis Construksion” sh.p.k.
  8. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Kompleks me godina banimi dhe shërbime 4, 5, 6 dhe 7 kat, me 2 kat nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën e Elbasanit, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqëritë “Xheluks Construksion” sh.p.k dhe “City Construction INC” sh.p.k.
  9. Për konfiskimin për interes publik të sipërfaqes së ndërtuar pa leje për qëllim fitimi, në objektin: “Godinë banimi dhe shërbime 5, 7 dhe 9 kate, me 2 parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Kont Urani”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Fabri D” sh.p.k.
  10. Për konfiskimin për interes publik të objektit: “Godinë banimi dhe shërbime 4 dhe 5 – 9 kate, me 2 parkim nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën: “Myslym Shyri”, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë “Arb & Trans – 2010” sh.p.k.
  11. Për deklarimin e përfundimit të procedurave administrative të aplikimeve për leje ndërtimi të paraqitura pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, të cilat i përkasin periudhës kohore 2015-2018 si dhe të atyre të deleguara në rrugë shkresore nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT), për mosplotësim të kushteve të përcaktuara në Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.
  12. Njoftim anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Territorit mbi kërkesat për kontroll përputhshmërie të shqyrtuara nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, për periudhën 26.04.2022 deri më tani, sipas Vendimit Nr. 1, datë 30.07.2015 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga Autoritetet e Zhvillimit të Territorit për shqyrtimin e kërkesave për Leje Ndërtimi deri në miratimin e Planeve të Përgjithshme Vendore”, i ndryshuar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor