Indrit Ndoj është personi i cili u gjet i vdekur në një kanal në Fushë-Krujë herët mëngjesin e sotëm.
34-vjeçari dyshohet se është vrarë me armë zjarri pasi ka një plagë në këmbë. Por përveç kësaj, ai thuhet se ka pësuar gjithashtu dëmtime në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
“Rreth orës 08:20, në lagjen ‘Bakishe Visha’, Fushë Krujë, në një rrugë dytësore është gjetur i pajetë shtetasi I. N., 34 vjeç, banues ne fshatin Hasan, Krujë.
Nga këqyrja paraprake, është konstatuar se 34-vjeçari ka një dëmtim në këmbë që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.”– tha policia.
Sipas “News 24”, kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur trupin e të tij rastësisht pasi kishin dalë për të shkuar në punë. Ata dyshojnë se Ndoji mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe është hedhur aty pasi nuk kishte me vete biçikletën me të cilën udhëtonte zakonisht.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur natën, pasi Indrit Ndoj banonte vetëm në një shtëpi në fshatin Hasan, ndërsa familja në një banesë në lagjen “Bakishe Visha”.
I arrestuar një vit më parë
34-vjeçari nuk është emër i panjohur për Policinë, kjo pasi ai është arrestuar në shtator të vitit 2021, kur u kap bashkë me një tjetër duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm, të cilëve u kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
“Shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitin e tyre në territorin shqiptar me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në automjetet tip ‘Volvo’ dhe ‘Ford’ po transportoheshin emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjeteve. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Enea Babasi, 26 vjeç dhe Indrit Ndoj, 33 vjeç, banues në Fushë Krujë.”– njoftonte policia e Lezhës 1 vit më parë. Për këtë ngjarje, ai ishte në “arrest shtëpie“. Familja e tij thotë se pavarësisht këtij precedenti penal, 34-vjeçari nuk kishte konflikte me njeri.