Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për mediet, tha sot se ligji i miratuar dje në Kuvend për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, është si shprehja popullore “u mbars mali dhe polli një mi”.
Ai ironizoi kryeministrin Edi Rama me breshkat në zyrën e tij.
“Ilir Meta i ka mbajtur të gjitha premtimet e tij, meqë përmendët Allende, e kam bërë atë deklaratë dhe e dija se çfarë vinte pas saj, por nëse do isha Allende, Rama s’do ishte dot Pinochet. Unë e kam mbajt premtimin tim dhe deri në 24 korrik aty ka qenë një kështjellë e paprekshme e kushtetutës dhe i kam fituar të gjitha betejat.
Për çështjen e ligjit që ca kanë bërë këta mbrëmë, dihet, ‘u mbars mali dhe polli një mi’… Mali u mbars mbrëmë në mes të natës dhe polli një mi. Meqë nuk i dalin ato dy breshkat uroj që miu ta ndihmojë për t’i përmirësuar frymëmarrjen për betejat që vijnë para.
Edi Rama kërkon të shmangë vëmendjen nga këto 1 miliard dollarë të reja që planifikon për 7 kontrata të reja për vitin që vjen. Këtu janë lekët dhe për pedagogët dhe për studentët. Këtu janë lekët dhe për të rritur pensionet, këtu janë lekët për të rritur rrogat.”- tha Meta.