Të shtunën dhe të dielën Tirana mirëpret dy gara vrapimi. Nesër kryeqyteti do të mikpresë garën e vrapimit “Fun Run Tirana” me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, ndërsa të dielën do të zhvillohet “Maratona e Tiranës”.
Për këtë arsye, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka hartuar një plan masave për menaxhimin e trafikut në gjithë qytetin e Tiranës.
Përmes një njoftimi për mediet, Policia Bashkiake bën me dije se në të gjithë perimetrin e garës, në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë të përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet.
Për arsye sigurie, Policia u bën thirrje qytetarëve që të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private në këto dy ditë për të shmangur trafikun në qytet. Dhe të mos futen brenda perimetrit të garës.
MASAT E POLICISË BASHKIAKE
Njoftim i rëndësishëm
Më datë 22 Tetor, nga ora 09:00-11:00, në blv. Dëshmorët e Kombit do të zhvillohet gara e vrapimit “Fun Run Tirana”, me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe më datë 23 Tetor nga ora 08:00-16:00, do të zhvillohet aktiviteti më i madh ndërkombëtar sportiv dhe promovues i vitit, që është “Maratona e Tiranës”.
Në zbatim të Urdhëresës Nr. 35934/1 datë 13.10.2022, të Kryetarit të Bashkia Tiranë “Mbi organizimin e planit të lëvizjes së automjeteve,gjatë mbarëvajtjes dhe organizimit të aktiviteteve “Fun Run” dhe “Maratona e Tiranës 2022”, nga Policia Bashkiake në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, si dhe Policia Rrugore Tiranë, është hartuar Plani përkatës i Masave, me detyra konkrete të përbashkëta, duke synuar garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të garës, si dhe menaxhimin e trafikut në gjithë qytetin e Tiranës.
Gjithashtu ju bëjmë me dije se, Bashkia Tiranë, në të gjithë perimetrin e garës, në funksion të sigurisë, ka vendosur sinjalistikë te përkohshme rrugore, ndalim qëndrimi dhe pushimi për mjetet.
Për sa më sipër, me qëllim sigurinë e garuesve, qytetarëve, parandalimin e aksidenteve rrugore, mbarëvajtjen e Maratonës pa incidente, si dhe lehtësimin e trafikut, u lutemi qytetarëve të Tiranës:
Të përdorin sa më pak të jetë e mundur automjetet private, për lëvizjet e tyre, në datën 22-23 Tetor për të shmangur trafikun në qytet.
Të mos tentojnë të hyjnë me automjet brenda perimetrit të garës, gjatë zhvillimit te garës, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar, si dhe t’u binden menjëherë shërbimeve policore, në devijimet eventuale të trafikut.
Të mos parkojnë, mjetet e tyre private, brenda perimetrit të garës, në kundërshtim me sinjalistiken rrugore të vendosur.
Të lëvizin mjetet e parkuara në rrugët ku do të zhvillohet gara, nëse i kanë parkuar disa ditë më parë, pasi në të kundërt, do të spostohen me mjet ngritës, nga shërbimet policore.
Ata qytetarë, që do të duan të lëvizin me automjetet e tyre, që ndodhen të parkuara në brendësi të lagjeve që ndodhen brenda perimetrit të garës, duhet t’i nxjerrin ato, jashtë perimetrit, përpara ores 08:00 të datës 23 Tetor, pasi rrugët do të bllokohen deri në orën 16:00 dhe nuk do të kenë mundësi të hyjnë-dalin, nga zona e perimetrit te garës me automjet.
Të mos tentojnë të levizin me biçikleta, monopatina, apo motore elektrike, ne rruget ku do te jenë vrapuesit gjatë zhvillimit të gares, pasi kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.
Këmbësorët, të bashkëpunojnë me shërbimet policore dhe vullnetarët, për të kaluar rrugën, në vendet e përcaktuara, pa u bërë pengesë për vrapuesit.
Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ju faleminderit.