Vendosni fjalën kyçe....

Pedagogët në ditën e 5-të të protestës: Bojkoti vazhdon sa kohë Rama thotë se s’do kemi rritje page


Pedagogët kanë hyrë në ditën e pestë të protestës së tyre. Ndërsa kanë paralajmëruar për të tjera protesta nga e hëna.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi ka njoftuar se të hënën në orën 11:00 do mbajnë një protestë të përgjithshme, ku do të parashtrojnë edhe njëherë kërkesat e tyre.

Kovaçi ftoi dhe studentët të bashkohen në protestë me kërkesat e tyre.

Ai kërkoi jo vetëm rritjen e pagave për pedagogët, por edhe për plotësimin e kërkesave të tjera si rritja e buxhetit për arsimin.

“Pa buxhetim nuk ka ndryshim në situatën e arsimit të lartë, të tjerat janë llafe. Kryesorja është rritja e buxhetit për arsimin e lartë. Nëse kjo nuk rritet kjo do të jete kënetë, të tjerat janë lustra.”– tha ai në një prononcim për mediet.

I pyetur se për sa kohë do të vazhdojë protesta, kreu i sindikatës së pedagogëve tha se protesta do të vazhdojë derisa kryeministri Edi Rama thotë se nuk do të ketë më rritje page.

 “Patjetër ne do vazhdojmë me protesta, për sa kohë ai thotë se nuk do ketë rritje rroga. Ne nuk mund të biem në nivelin e gjendjes aktuale. Ne nuk duhet ta lejojmë braktisjen e studentëve. Kërkojmë rritje të buxhetit për arsimin e lartë.

Kryeministri ka premtuar që do ta realizojë, por nuk ka ndërmend. Më mirë të veprojë tani dhe të buxhetojë masën e duhur arsimin e lartë dhe arsimin në përgjithësi. Situata është realisht kritike. Bojkoti në ato vende ku është realizuar është në nivel të lartë, ne na intereson sensibiliteti dhe jo numrat. Njerëzit janë sensibilizuar, edhe Rama mendoj se është sensibilizuar, sepse duhet të jetë jo në rregull pastaj…

Të hënën në orën 11:00 do bëjmë një protestë të përgjithshme më të zgjeruar dhe do të bëjmë të ditur kërkesat tona.”-  deklaroi Kovaçi.