Vendosni fjalën kyçe....

Raiffeisen nuk shitet, grupi austriak konfirmon zyrtarisht se do të qëndrojë në Shqipëri


Grupi austriak Raiffeisen konfirmoi zyrtarisht ditën e sotme se do të qëndrojë në Shqipëri, duke përgënjeshtruar zërat e muajve të fundit që e jepnin filialin shqiptar drejt shitjes.

Në një njoftim zyrtar të bankës, Kryetari i Këshillit Drejtues të Raiffeisen Bank Shqipëri, Peter Lennkh, u shpreh se Raiffeisen Bank International nuk do të largohet nga tregu shqiptar.

“Javët e fundit janë përsëritur spekulime për të ardhmen e Raiffeisen Bank sh.a. Prandaj, në funksionin tim si Kryetar i Këshillit Drejtues të Raiffeisen Bank sh.a., dëshiroj të sqaroj se Raiffeisen Bank International nuk synon të largohet nga tregu shqiptar. Banka jonë ka një pozicion të fortë në treg dhe gëzon një reputacion të lartë dhe vlerësime shumë të mira nga klientët tanë. Për më tepër, ne kemi një pikëpamje pozitive për zhvillimet e ekonomisë së Shqipërisë, e cila mbështetet nga perspektiva e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë t’u shërbejmë klientëve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha z.Lennkh.

Në vijim të prononcimit të Bordit, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri, Christian Canacaris iu drejtua me një mesazh stafit të bankës.

“Ne besojmë te ju dhe përkushtimi i gjithësecilit prej jush. Së bashku do të vazhdojmë të përmbushim Misionin dhe Vizionin tonë për të transformuar inovacionin e vazhdueshëm në një eksperiencë të shkëlqyer për klientët tanë dhe për të qenë grupi më i rekomanduar për shërbimet financiare në vend. Mezi po pres të festojmë së bashku përvjetorin e 20-të të Raiffeisen Bank në Shqipëri dhe të gjitha arritjet tona,” thuhet në mesazhin e z.Canacaris.

Prej muajsh në treg qarkullonin zëra se Raiffeisen Shqipëri ishte në negociata për tu shitur tek një nga grupet më të mëdha të biznesit shqiptar. Për shumë ekspertë, largimi i mundshëm një grupi të rëndësishëm si Raiffeisen do të ishte një zhvillim negativ për sektorin bankar shqiptar, për shkak të standardit që grupi austriak përfaqëson dhe rolit që ka pasur në zhvillimin e tregut bankar në Shqipëri.

Aktualisht, Raiffeisen Bank është banka e tretë më e madhe në tregun shqiptar dhe një nga katër bankat me rëndësi sistemike në vend. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti Raiffeisen Bank zotëronte 15.2% të tregut bankar në Shqipëri, për një total aktivesh prej 275 miliardë lekësh ose 2.35 miliardë eurosh.

Raiffeisen është njëkohësisht banka e dytë më e madhe huadhënëse e ekonomisë, me një portofol total prej 113 miliardë lekësh ose 16.6% e kredisë totale të dhënë nga sektori bankar shqiptar deri në mesin e këtij viti.

Grupi Raiffeisen hyri në Shqipëri në vitin 2004, kur finalizoi privatizimin e Bankës së Kursimeve. Hyrja në treg e Raiffeisen i dha një shtysë të fortë rritjes së sektorit bankar në Shqipëri, sidomos deri në vitin 2009, kur në treg filluan të shfaqeshin pasojat e krizës financiare globale.

Pas vitit 2011, Raiffeisen vendosi gradualisht të zvogëlonte madhësinë e bankës së saj në Shqipëri, për shkak të forcimit të kërkesave të rregullatorëve lidhur me asetet që grupet bankare zotëronin jashtë Eurozonës. Edhe si rezultat i kësaj qasjeje, zërat për një shitje të mundshme të Raiffeisen Bank Shqipëri kanë qenë të shpeshta në dekadën e fundit.

Për periudhën 2011-2019, pjesa e tregut të Raiffeisen zbriti gradualisht nga 29% në më pak se 15%. Por, pas vitit 2020, Raiffeisen ka dhënë sinjale se i është kthyer një cikli të rritjes së biznesit. Gjatë vitit 2021 dhe në pjesën e parë të këtij viti vlera e aseteve të bankës dhe pjesa e saj e tregut i janë kthyer rritjes.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor