Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e Lear Kurtit/ Berisha: Qesen me kokainë ia vendosën në stomak, Çuçi të japë dorëheqjen


Ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha ka ngritur akuza të forta në lidhje me përgjegjësinë e policisë për vdekjen e 32 vjeçarit Lear Kurti, pas shoqërimit të tij në Komisariat.

Berisha ka akuzuar se qesja me kokainë për të cilën u tha se u gjet në stomakun e të riut, pasi e gëlltiti teksa ndiqej nga policia, është futur me dorë nga të tjerë. Ai tha se në këtë rast është përsëritur skenari i vrasjes së Klodian Rashës.

“Një grup kriminal u krijua në këtë rast, se si e si të vrasim për së dyti Lear Kurtin.

U përsërit skenari i Klodian Rashës. Atëherë Ardi Veliu njoftoi se në një pellg u gjet një revole. Dje ai njoftoi se në stomak u gjet një qese plastike me kokainë. Iu vendos një qese me kokainë njësoj si revolja në pellg.

Çfarë e shtyu Ardi Veliun dhe Çuçin në një akt shpellor mafioz autopsie, dezinformimesh.

Ishte epileptik, vuante nga kjo, përdorte këtë. Ku shkuan kamerat?

Patrullat e sotme janë të mbushura me individë të droguar. Kam dyshime se këto i bëjnë policë të droguar dhe jo normalë.

Nëse ai nuk është një rrezik, nuk po kryen një vepër në flagrancë, ata kamerat aty i kanë, në këtë mënyrë çdo natë patrulla mund të takojë të rinj që nuk e kanë kartën e identitetit me vete, ose tremben dhe ia mbathin, po kjo do të thotë t’i ndjekin që t’i vrasin? T’ua marrin shpirtin?

Qesja ka shumë shanse që është vendosur me dorë. Të kapërdish një qese është jashtë imagjinate. Duhet të kesh aty të paktën një filxhan me vaj ulliri që ta shtysh. Si kalon qesja në ezofag, këtë e di Ardi Veliu.

Edhe po të jetë qesja, ajo kurrsesi nuk është vdekjeprurëse.”- tha Berisha.

Ai kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestë.

 “Pra kemi të bëjmë me një skenar, me të cilin e vranë për së dyti Lear Kurtin.

Një i ri normal, një i ri për të cilin shokët e tij kishin vetëm fjalët më të mira.

I rritur me sakrifica të mëdha nga familja e tij.

Kërkoj menjëherë largimin nga detyra të ministrit të familjes, që së bashku me Ardi Veliun që janë të gatshëm që të falsifikojnë çdo krim.

Ky është morali i Edi Ramës, ndaj ai ka një përzgjedhje të preferuar me njerëzit që sillen në këtë mënyrë.

Edhe njëherë ngushëllimet më të ndjera familjes së Lear Kurtit, miqve dhe familjarëve të tij.

Të rinjtë kanë lënë një protestë. Ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në protestë. Sepse pritet kush do jetë i riu i radhës që do ekzekutohet nga policët e droguar, ose që do humbasë jetën nga keqtrajtimet brutale.”- bëri thirrje Berisha.