Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson ndërpret pushimet dhe kthehet në Londër mes thashethemeve se do të kandidojë për t’u rikthyer si kryeministër


Gara e shpejtë për të zëvendësuar Liz Truss si kryeministre britanike u bë edhe më e egër të shtunën, pasi ish-udhëheqësi Boris Johnson u kthye në Britaninë e Madhe mes spekulimeve se ai do të kandidojë për të rimarrë postin e tij të mëparshëm.

Johnson u rrëzua nga një seri skandalesh etike vetëm tre muaj më parë, por disa ditë pas dorëheqjes dramatike të pasueses së tij Liz Truss, i hipi avionit për t’u kthyer në Londër duke ndërprerë pushimet që po kalonte në Republikën Domenikane.

Associated Press shkruan se ai mbetet një figurë përçarëse mes kolegëve konservatorë. Ish-zëvendëskryeministri Dominic Raab, tha të shtunën në mëngjes se ishte “e vështirë të shihej” se si Johnson mund të bëhej sërish kryeministër, kur ai nuk respektonte rregullat e bllokimit të COVID-19 e vendosura nga ai vetë.

Kryeministri i ri supozohet të jetë në detyrë deri më 28 tetor. Megjithatë, Johnson ka mbështetjen publike të disa ish-kolegëve të tjerë të kabinetit, duke përfshirë ish-sekretaren e Brendshme Priti Patel.

Por Johnson ka nevojë për mbështetjen e 100 ligjvënësve para orës 14:00. Të hënën të jetë në fletën e votimit.

Ish-shefi i Thesarit Rishi Sunak, i cili përshpejtoi rrëzimin e Johnson duke dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj ish-shefit të tij në korrik, është një tjetër kandidat i mundshëm. Sunak humbi ndaj Truss në votimin e kaluar të mbajtur pak më shumë se shtatë javë më parë, por ai u mbështet fuqishëm nga ligjvënësit e partisë së tij. BBC vlerëson se ai tashmë ka arritur pragun e kërkuar të mbështetjes për t’u shpallur zyrtarisht kandidat.

Paralajmërimi i Sunak për Truss-in gjatë garës së mëparshme të lidershipit se shkurtimet agresive të taksave do të zhvlerësonin paundin dhe do t’i çonin normat e interesit në rritje u vërtetua në fillim të këtij muaji. Qeveria e Truss më vonë u detyrua të anulonte pothuajse të gjitha shkurtimet e pafinancuara që ajo shpalli.

Ligjvënësja konservatore Helen Grant postoi në Twitter se ajo po e mbështet përsëri Sunak për shkak të “kompetencës së tij ekonomike dhe organizative”.

Udhëheqësja e Dhomës së Komuneve, Penny Mordaunt është e vetmja kandidate që deklaroi publikisht se po kandidon për të zëvendësuar Truss, duke thënë në një postim në Twitter të premten se ajo përfaqëson “një fillim të ri”.