Vendosni fjalën kyçe....

Lufta në Ukrainë, sulmet ajrore të Rusisë synojnë rrjetin energjetik


Sulmet ajrore ruse kanë goditur infrastrukturën kritike në Ukrainën qendrore dhe perëndimore, ndërsa Rusia vazhdon të synojë rrjetin energjetik të vendit.

Siç shkruan BBC, vendet në jug dhe perëndim të Kievit janë goditur dhe janë raportuar ndërprerje të energjisë në të gjithë vendin.

Presidenti Volodymyr Zelensky e dënoi “sulmin masiv“, por tha se shumica e raketave ruse ishin rrëzuar.

Pothuajse një e treta e termocentraleve të vendit janë shkatërruar në një valë sulmesh ajrore që nga e hëna e javës së kaluar.

Një ndihmës i Presidentit Zelensky, Kyrylo Tymoshenko, tha se rreth një milion e gjysmë familje tani janë pa energji elektrike.

Zonat e shënjestruara nga sulmet e fundit përfshijnë rajonin Cherkasy, në jug-lindje të kryeqytetit Kiev, dhe qytetin e Khmelnytskyi, më në perëndim.

Operatori kombëtar i energjisë elektrike, Ukrenergo, tha se sulmet mund të kenë shkaktuar më shumë dëme sesa bombardimet intensive në fillim të këtij muaji.

Presidenti Zelensky tha: “Armiku nisi një sulm masiv: 36 raketa, shumica e të cilave u rrëzuan. Këto janë sulme të ndyra ndaj objekteve kritike.”

Nënkryetari i bashkisë së qytetit perëndimor të Lviv, Serhiy Kiral, i tha BBC-së të shtunën se strategjia e Rusisë ishte të dëmtonte infrastrukturën kritike përpara dimrit dhe ta çonte luftën në zona përtej vijës së frontit.

“Sa më shumë suksese të kenë forcat e armatosura ukrainase në front, aq më keq do të jetë për njerëzit në frontin e brendshëm, sepse Rusia do të bëjë gjithçka që mundet për të shënjestruar civilët dhe për të shënjestruar infrastrukturën kritike.”- tha ai.

Të premten, Zelensky akuzoi Rusinë edhe për vendosjen e minave në një digë hidroelektrike në rajonin Kherson të Ukrainës jugore, e cila është nën kontrollin e forcave të Moskës.