Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë një takimi me strukturat e partisë në Kuçovë deklaroi se kryeministri Edi Rama më parë u ka shkelur syrin oligarkëve dhe ka bërë sikur nuk i ka parë pallatet që janë shtuar pa leje.
Sipas Metës, tani kryeministri ka interesin e tij se po afrojnë zgjedhjet dhe e ka nisur këtë aksion për të gjetur një gjuhë të përbashkët me oligarkët.
“Nuk është bërë sepse Kuçova është trajtuar si një bastion ku nuk ka nevojë të punosh të shërbesh, por mjafton me presione, me blerje votash, për të garantuar pushtetin dhe me korrupsion. Ndaj është kjo situatë e rënduar, banorët kanë protestuar para bashkisë e fshihet kryetari se nuk u del dot para, protestojnë për rritjen e çmimeve, mungesën e investimeve protestojnë për burimin natyror te Sinecit për te cilin janë ne gjyqe me Bashkinë dhe kompaninë e famshme, Salillari po siç e thatë ju, meqë e përmendët ju, se nuk doja ta përmendja, por se nuk mbajnë anën e qytetarit të banorëve që u rrezikohet jeta se e kanë ujin burim ekzistencial, kështu është në gjithë Shqipërinë dhe në Tiranë. Arrestohet nëna 82 vjeç për kotecin pa leje ndërsa zotëria kullat që i ka dhënë vetë miratimin e u ka shkelur syrin për t’u shtuar nuk i kishte parë e ka hall tani si të gjejë gjuhën me ta se po i afrohen zgjedhjet e do që ti shpëtojë nga ndjekja penale se ligjin ky e ka për të dobëtit jo për të fortët se është i varur nga ta si është i varur nga krimi i organizuar dhe mafia ndërkombëtare që interesohet për territorin e Shqipërisë, jo popullin”, tha Meta.