Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti më i vjetër në historinë amerikane/Joe Biden: Qëllimi im është të kandidoj sërish edhe për një mandat tjetër


Presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se megjithëse nuk ka marrë një vendim zyrtar për të rikandiduar për një tjetër mandat në vitin 2024, “qëllimi” i tij është që ta bëjë këtë.

“Unë nuk e kam marrë ende atë vendim zyrtar, por është qëllimi im të kandidoj sërish. Dhe ne kemi kohë për ta marrë atë vendim.”– i tha Biden gazetarit Jonathan Capehart të MSNBC në një intervistë, citon CNN.

Çështja e së ardhmes politike të Bidenit do të jetë në qendër të vëmendjes për demokratët pas zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, në të cilat partia po lufton për të mbajtur kontrollin e Kongresit. Tashmë, përgjigjet e Presidentit se ai do të bëjë një tjetër ofertë për Shtëpinë e Bardhë kanë injektuar dilema për garën e 2024-ës.

Muajin e kaluar, Biden tha se ishte “shumë herët” për të marrë vendimin nëse ai do të kandidonte përsëri për president në 2024. Por duket se ka ndryshuar qëndrim. Në moshën 79-vjeçare, Biden është tashmë presidenti më i vjetër në historinë amerikane. Të premten, Presidenti Biden tha se zonja e parë Jill mendon se puna që ata po bëjnë është “shumë e rëndësishme”.

“Gruaja ime mendon se unë – se ne po bëjmë diçka shumë të rëndësishme dhe se unë nuk duhet të largohem prej kësaj.”- tha Biden.

I pyetur se çfarë do t’u thoshte djali i tij i ndjerë, Beau Biden, njerëzve që mendojnë se Presidenti është shumë i vjetër për të kandiduar, Biden tha: “Nuk është aq shumë se çfarë ai do t’u thoshte atyre njerëzve. Ajo që ai do të më thoshte mua në këndvështrimin tim. Arsyeja e vetme për t’u përfshirë në jetën publike është se a mund ta bëni jetën më të mirë për njerëzit e tjerë. Dhe në varësi të asaj se kush është kundërshtari, nëse ata kanë një pikëpamje të kundërt me atë që unë besoj se demokracia është dhe unë besoj se është e mirë për klasën e mesme, atëherë argumenti i tij do të ishte, ‘babi, ti ke detyrim të bësh diçka’.”