Brenda kampusit të gjerë të Akademisë së Policisë në Minneapolis në anën veriore të qytetit, vetëm gjashtë persona u paraqitën dhe dëgjuan një pjesë të vogël oficerësh dhe zyrtarësh të qytetit të cilët u bënin thirrje për t’u bashkuar me një departament pa staf. Një departament që shihet sinonim me vrasjen e George Floyd.
Sipas AP, zyrtarët thanë se oficerët e rekrutuar do të jetonin në një zonë metroje plot gjallëri, me një cilësi të lartë jetese si dhe duke punuar në një departament të madh ku mund të zgjidhnin një shumëllojshmëri të gjerë rrugësh karriere me përfitime gjithëpërfshirëse.
Por ata që bëjnë betimin duhet të kuptojnë se kjo është një punë e rrezikshme dhe se nga ata pritet të mbrojnë shenjtërinë e jetës njerëzore – edhe nëse kjo do të thotë të frenojnë një koleg oficer. Dhe gjithçka që ata bëjnë duhet të synojë rindërtimin e besimit në një qytet të mbetur i shkatërruar nga vrasja e Floyd dhe burrave të tjerë me ngjyrë.
“Ka ende njerëz që përsëri na vlerësojnë.”– u tha rreshterja Vanessa Anderson rekrutëve të mundshëm. “Komuniteti ende na vlerëson. Unë me të vërtetë e mendoj këtë”
Krimi u rrit në Minneapolis gjatë pandemisë, si në shumë qytete amerikane. Veprat e vrasjeve pothuajse u dyfishuan nga viti 2019 në 2021, sulmet e rënda u rritën me një të tretën si dhe shpërthyen grabitjet e makinave – të cilat qyteti filloi t’i gjurmonte vetëm në vjeshtën e 2020. Dhe problemi i krimit të qytetit është komplikuar nga një eksod masiv i oficerëve që përmendën stresin post-traumatik pasi Floyd u vra, duke shkatërruar departamentin me afërsisht një të tretën e personelit të tij.
Disa banorë thonë se qyteti ndonjëherë mund të ndihet i paligjshëm. Më 4 korrik, policia dukej e paaftë për të përballuar situatën kur protestuesit qëlluan me fishekzjarre ndaj njerëzve të tjerë, ndërtesave dhe makinave. Ajo natë shkaktoi më shumë se 1300 telefonata në numrin 911. Një dëshmitar përshkroi një fishekzjarre që u qëllua në një nga makinat e pakta të policisë që iu përgjigjën thirrjes për ndihmë.
“Qyteti ynë ka nevojë për më shumë policë.”- tha kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey në gusht, ndërsa paraqiti një propozim për të rritur fondet e policisë në një përpjekje për të rritur numrin e oficerëve në më shumë se 800 deri në vitin 2025. Duke shtuar presionin: një gjykatë vendosi në favor të banorëve që paditën qytetin për mungesën e numrit minimal të oficerëve të kërkuar sipas statutit të qytetit.
Një nga gjashtë personat e vetëm që morën pjesë në prezantimin e fundit të verës në Akademinë e Policisë në Minneapolis, ishte 36-vjeçari Cyrus Collins nga periferia e Lino Lakes, i cili identifikohet si racë e përzier.
Collins ka një tatuazh në fytyrë kundër Policisë. Ai tha për Associated Press se me të u drejtohet “të liqve“, siç janë ata që vranë Floyd dhe Breonna Taylor. Departamenti tha se nuk ka politikë që rregullon tatuazhet.
“Unë nuk dua që njerëzit me ngjyrë të jenë kundër policëve.”- tha Collins, i cili punon si kuzhinier picash dhe një shpërndarës pakosh për FedEx. “Çfarë karriere tjetër do të ishte e dobishme për të dërguar atë mesazh, përveç të qenit një oficer policie në Minneapolis?”