Vendosni fjalën kyçe....

Rama zbulon se kur do ta marrin pensionistët bonusin: Nuk do të lejojmë të tmerrohen nga inflacioni


Në një takim me qytetarët në Fier, kryeministri Edi Rama duke folur për bonusin e pensionistëve për fundvitin tha se do bëjë ç’është e mundur që ta marrin në fillim të muajit dhjetor.

Duke u ndalur tek kriza energjetike, Rama tha se askush prej qytetarëve nuk e ndien rritjen e çmimit të energjisë elektrike sepse 80% e paguan qeveria dhe vetëm 20% paguajnë vetë qytetarët.

“Askush nga ju nuk e ndien krizën e energjisë, sepse këtu 80 % ua paguan qeveria, vetëm 20 % paguani vetë. Përralla se ne kemi ujë, e nuk kemi nevojë për të tjerët. Këto vijnë nga këto burime që ushqejnë injorancën. Ne prodhojmë 75% në ditët më të mira. 25 % duhet të dalim e t’i blejmë në tregun ndërkombëtar ku përballemi me çmime katastrofike.

Nëse ne do të kishim rritur edhe energjinë, bizneset do i kishin rritur edhe më shumë çmimet e ushqimeve, duke barazuar vendet e rajonit ku çmimet janë tejet të larta. Skavica është në rrugë për t’u ndërtuar dhe bashkë me Hec-et lundruese në për një periudhë do të arrijmë që të mos blemë më energji, por vetëm të shesim.

Nuk kemi bërë atë që pensionistët meritojnë, sepse nuk ka qeveri që e bën, por kemi bërë aq sa kemi mundur. Ne do u japim bonusin e posaçëm në Fillim të dhjetorit, që ta kenë për vitin e ri e të mos jenë të tmerruar nga inflacioni. Pedagogëve ju është rritur paga më shumë, me 7%, siç ju rrit gjithë administratës. I rritën edhe nga vetja 8% dhe vajti 15 %. Edhe kërkojnë më tepër. Si mund të kërkohet kjo. Në një kohë që ata marrin rritjen më të madhe e të kërkojnë më tepër në një kohë që ne duhet të luftojmë për rritjen e pensioneve të pensionistëve dhe pagave të zjarrfikësve. Gjërat bëhen sipas mundësive. Puna kërkon kohën e vetë. Shiheni se çfarë kemi bërë në Fier, edhe prapë ka nevojë për ndërhyrje. Atëherë si i bëjmë, vetëm duke bërë punët e duhura, duke qenë të vetëdijshëm që jo çdo gjë e bëjmë mirë.”– tha Rama në këtë takim.