Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur procedimin penal ndaj punonjësit të policisë rrugore në Pogradec i cili u shfaq në një video duke goditur shtetasin A.T pasagjer në një automjet që ishte ndaluar.
Përveç punonjësit të policisë kallëzim penal është bërë edhe ndaj shtetasit A.T si dhe është sekuestruar materiali filmik.
“Më datë 22.10.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka referuar në Prokurori materialet proceduriale për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ndaj punonjësit të policisë të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Pogradec, Inspektor A. S.
Veprimet hetimore ndaj këtij punonjësi policie u kryen pasi më datë 21.10.2022, në rrjete sociale është publikuar një material filmik ku ai shfaqet duke debatuar dhe goditur shtetasin A. T., i cili ishte pasagjer në një automjet që ishte ndaluar pasi drejtuesi i saj u konstatua duke përdorur telefonin dhe pa vendosur rrip sigurimi.
Në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, nga ana e Drejtorisë Rajonale të AMP Korçë është administruar materiali filmik, është marrë kallëzimi i shtetasit A. T. dhe deklarimet e palëve, si edhe është bërë këqyrja e jashtme e këtij shtetasi në prani të mjekut ligjor.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec”-njofton AMP.
Për rastin ka reaguar edhe Policia e Shtetit e cila në një njoftim thotë se Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar largimin e menjëhershëm nga struktura të efektivit të rrugores ndërsa është transferuar në një strukturë tjetër policiore efektivi L.H i cili nuk ka ndërhyrë për të parandaluar veprimin e kolegut të tij.