Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet marrëdhënia korruptive/ Pse SPAK nuk e sekuestron inceneratorin e Tiranës?


Prokuroria Speciale Antikorrupsion është në vijim të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, sipas Kallëzimeve të depozituara.

I pyetur pak kohë më parë në lidhje me këto hetime, kreu i SPAK, Z. Arben Kraja, është shprehur se ato marrin kohë, për shkak të natyrës tepër komplekse të veprës, ndaj dhe SPAK kërkon kohë më tepër.

Por, çfarë ka dalë nga informacionet e bëra publike deri më tani, është se kompanitë fiktive të krijuara nga Z. Lefter Koka, për të marrë pjesën e vet nga inceneratori i Elbasanit dhe i Fierit, kanë ndërvepruar financiarisht dhe kanë marrë para edhe nga inceneratori i Tiranës.

Pra, inceneratori i Tiranës, i cili duhet të investonte 128 milionë euro, sipas kontratës koncesionare, disa nga këto miliona euro, ja ka kaluar kompanive fiktive të ish-ministrit Koka, si nënkontraktorë punimesh.

Siç janë:

A.S. Group me pronar Skerdi Bello, 200.000 dollarë

Pivot 04 me pronar Arbër Denizi, 400.000 dollarë

Në një total prej 600.000 dollarësh.

Pra, nëse kompania Pivot04 është përfshirë në aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit, për të cilat SPAK ka shpallur në kërkim pronarët e këtyre kompanive, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si dhe ka prangosur Lefter Kokën, për çfarë i duhet SPAK-ut kaq shumë ditë, për të vepruar ndaj kompanisë së inceneratorit të Tiranës, e cila gjithashtu ka kaluar shuma të konsiderueshme tek kjo kompani?

Është edhe më skandaloz fakti, se ndryshe nga sa kishte premtuar, kompania e inceneratorit të Tiranës, nuk ka investuar asnjë lek nga të vetat, por, të gjitha këto 600.000 dollarë ndaj këtyre dy kompanive, janë pjesë e shumave që ka marrë nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës.

Deri më sot, Bashkia Tiranë ka derdhur 5,535,535,780 Lekë për të marrë shërbimin e menaxhimit të mbetjeve në vlerën 29E/Ton, me kushtin që kompania që ka marrë koncesionin duhet të investojë 128 milionë euro, ndërsa SPAK vijon hesht ndaj kësaj kompanie, e cila siç faktet e dëshmojnë, do duhet të dënohet për rolin e saj, e cila ka pasur marrëdhënie korruptive me kompaninë Pivot 04.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al