Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Inceneratori i Fierit nuk ka kaluar testimin, SPAK të mos merret me cironkat po me peshkaqenët


Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi vuri në dukje raportin e supervizorit për inceneratorin e Fierit.

Gjatë fjalës së tij Këlliçi tha se ka kaluar një vit dhe nuk ka kaluar testimi për impiantin e djegies.

Ndër të tjera shton se nuk ka staf dhe makineri për përpunimin e mbetjeve.

I bëjmë thirrje SPAK me regji të ngrihet në nivelin e pritshmërive të qytetarëve, të administrojë provat e  bërë publike nga selia e PD dhe të mos vijojë me skenarin e Ramës për cironkat pasi peshkaqenët i kanë aty, njëri në bashki dhe tjetri në qeveri”, tha më tej Këlliçi.

Deklarata e plotë:

Në vijim të denoncimeve të bëra nga Partia Demokratike për pagesat e marra nga Inceneratori i Fierit, sot bëjmë publik një tjetër SKANDAL ku përfshihet drejtpërdrejtë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtuar nga Belinda Balluku, e cila sigurisht në këtë skandal të radhës, vijon zbatimin e skenarit të dirigjuar nga Edi Rama.

Në datë 31 Mars 2022, pra 1 vit pasi është deklaruar përfundimi i punimeve për Inceneratorin e Fierit shoqëria supervizore i drejtohet me shkresë Nr. prot 24, kompanisë koncensionare “Integrated Ëaste Treatment Fier” si dhe për dijeni Ministrisë së Infrastrukturës (autoriteti kontraktor) dhe Njësisë së Zbatimit (Arben Kaçorri).

Në shkresë kompania supervizore njofton Kompaninë koncensionare për penalitet të lindur për mosdorëzimin në kohë të impiantit.

Deri në datën 31 Mars 2022 detyrimi që kompania konçensionare i detyrohej shtetit ishte 551 mijë  euro. Kjo për shkak se punimet ndërtimore për realizimin e projektit kanë përfunduar që në muajin mars të 2021 e ndërkohë në mars të 2022, impianti ende nuk është dorëzuar.

Po në të njëjtën shkresë, supervizori njofton kompaninë koncensionare se penaliteti rritet çdo ditë me 2 mijë e 250 euro.

Në datën 29 Prill 2022 supervizori i ridërgon një shkresë me nr. prot 36, shoqërisë konçensionare dhe për dijeni Ministrisë së Infrastrukturës dhe Njësisë së Zbatimit të Projektit

Në këtë shkresë supervizori sërish ngre shqetësimin se mbetjet nuk po përpunohen pasi nuk ka staf dhe makineri për ta kryer këtë proçes.

Supervizori kërkon dhe gjithashtu dhe marrjen në ruajtje të objektit që të shmangen vjedhjet dhe dëmtimi, pasi mesa duket ka patur të dhëna që në impiantin e Fierit kishte nisur edhe bastisja e kantierit dhe pajisjeve.

Në të njëjtën shkresë supervizori rikujton dhe njëherë shumën e penalitetit për shkeljen e afateve të dorëzimit të impiantit.

Në datë 02 qershor 2022 supervizori i përgjigjet Ministrisë së Infrastrukturës ku i rikujton se në maj të vitit 2022 i ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin për punimet dhe situacionet si dhe për punët e pa kryera ende.

Në shkresë citohet se:

A-           vlera e punimeve të papërfunduara për makineri dhe pajisje elektromekanike është 2.886.680 euro (pa tvsh)

B-            vlera e punimeve të papërfunduara për lidhjen me sistemin elektroenergjitik është 79 mijë e 800 euro (pa tvsh

Supervizori informon në këtë shkresë të qershorit 2022 se duhet të bëhen pagesat pasi pajisjet janë porositur dhe vepra do të quhet e përfunduar 100%

Në fund supervizori rikujton dhe një herë shkresën e datës 31 mars 2022 ku njoftonte Autoritetin Kontraktor për penalitetin 551  mijë euro që duhet të paguante konçensionari, penalitet i cili rritet me 2 mijë e 250 euro çdo ditë.

Pra është e qartë si drita e diellit që Ministria përgjegjëse nuk i ka vendosur asnjë penalitet kompanisë konçensionare, por ka vendosur të bëjë 100% të pagesave vjetore brenda korrikut 2022.

Mesa duket fushata elektorale po afron dhe Edi Ramës i duhen para për të nisur shitblerjen e votave.

Pra edhe pse në tejkalim të afateve, edhe pse Impianti i Fierit duhej të ishte dorëzuar dhe vënë në punë që në muajin mars të vitit 2021 dhe sot jemi më tetor të 2022, shteti vijon të paguajë rregullisht kompaninë e inceneratorëve fantazëm, ndërkohë që refuzon të penalizojë konçensionarin i cili sot që flasim, penaliteti që duhet të paguajë është 1.000.000 euro dhe vazhdon të rritet çdo ditë me 2  mijë e 250 euro

Arsyeja se përse ndodh e gjithë kjo vjedhje dhe aferë është mjaft e qartë: Edi Rama së bashku me Erion Veliajn, Arben Ahmetajn, Engjëll Agaçin, Damian Gjiknurin dhe së fundmi Belinda Ballukun, ka ngritur një skemë të pastër të vjedhjes së gjysëm miliardë eurove, nga taksat e qytetarëve shqiptarë, duke varfëruar çdo ditë e më shumë qytetarin e zakonshëm, në kurriz të investitorit “holandez” Klodian Zoto, i cili në fakt shërben vetëm si presta nome i kryeministrit.

I bëjmë sërish thirrje SPAK-ut me regji, të ngrihet në nivelin e pritshmërive të qytetarëve, të vendosë një herë të vetme standard të njëjtë në gjykim, të administrojnë qoftë edhe vetëm provat e bëra publike nga selia e PD për aferën më të madhe korruptive të shekullit dhe të mos vijojë me skenarin e Edi Ramës për arrestime periferike të cironkave të kësaj afere, pasi peshkaqenët aty i kanë, njërin në Bashki e tjetrin në Qeveri.