Ligji për kujtesën demokratike në Spanjë hyri në fuqi të premten, duke synuar të zbulojë atë që ndodhi gjatë Luftës Civile Spanjolle e nën regjimin e Frankos, duke sjellë drejtësi për viktimat.
“Qytetarët kanë të drejtë të patjetërsueshme për të kuptuar të vërtetën historike për dhunën dhe terrorin e imponuar nga regjimi i Frankos, si dhe vlerat dhe aktet e rezistencës demokratike.” – thuhet në legjislacionin 55 faqesh të botuar në gazetën zyrtare shtetërore të Spanjës.
Midis 1939 dhe 1975, Francisco Franco sundoi Spanjën pas Luftës Civile Spanjolle. Një pjesë kyçe e projektligjit përfshin gjetjen e rreth 140,000 civilëve që u zhdukën me forcë gjatë epokës gati katër dekadash. Për këto qëllime, qeveria duhet të krijojë një hartë të zhdukjeve dhe një bankë kombëtare të ADN-së për të ndihmuar në identifikimin e trupave të zbuluar në varre masive.
Ligji pastron gjithashtu emrat e të gjithë të dënuarve për krime politike nga gjykatat frankoiste dhe eliminon 33 tituj fisnikërie të dhëna nga regjimi.
Që nga e premtja, Lugina e të rënëve, dikur një mauzole masiv i Frankos përpara se trupi i tij të hiqej në vitin 2019, ka ndryshuar emrin e saj në Luginën e Cuelgamuros, siç përcaktohet nga ligji.
Monumenti përmban eshtrat e qindra njerëzve që ranë viktima të luftës si dhe udhëheqës të tjerë të krahut të djathtë si José Antonio Primo de Rivera. Sipas ligjit, kushdo tjetër përveç viktimave të luftës do zhvarroset.
Ndërsa projektligji thotë gjithashtu se organizatat e përfshira në faljen e Frankos do mbyllen, Fondacioni Kombëtar i Francisco Franco i Spanjës, i krijuar në 1976 për të mbrojtur trashëgiminë e diktatorit, është ende online. Fondacioni zotohet se çdo përpjekje për ta mbyllur do përballet me betejë të ashpër ligjore.
Ndërkohë, projektligji garanton qasje të lirë e universale në arkivat publike dhe private që lidhen me luftën dhe diktaturën.
Ajo që mësohet në shkollat spanjolle do përditësohet gjithashtu për të pasqyruar ‘represionin që ndodhi gjatë luftës dhe diktaturës’.
Ligji është një moment historik për qeverinë e koalicionit të krahut të majtë të Spanjës, e cila këmbëngul se do të forcojë themelet për të drejtat e njeriut.
Por politikanët nga Partia Popullore konservatore janë zotuar të shfuqizojnë ligjin kur të marrin detyrën. Udhëheqësi i partisë Alberto Nunez Feijoo thotë se ligji bie ndesh me Ligjin e Amnistisë të vitit 1977, i njohur gjithashtu si pakti i harresës, që ai thotë se ndihmoi Spanjën të kalojë drejt demokracisë.
Legjislacioni i ri nuk e rrëzon ligjin e vitit 1977, por thekson se mbizotëron e drejta ndërkombëtare humanitare, që do të thotë se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk mund të amnistohen.
Ndërsa shumë anëtarë të familjeve të viktimave të regjimit kanë dalë në mbështetje të projektligjit, të tjerë thonë se ai nuk shkon aq thellë sa duhet.
Në komentet për Anadolu Agency, Emilio Silva, kreu i Shoqatës për Rimëkëmbjen e Kujtesës Historike, kritikoi projektligjin për mospërmendjen e rolit të Kishës Katolike.
Ai gjithashtu vuri në dukje se ndërsa institucionet e shtypura nën frankoizëm kanë të drejtën e kompensimit, ‘njerëzve të cilëve u janë marrë shtëpitë, tokat dhe kursimet e tyre nuk do marrin asnjë qindarkë mbrapsht’’.