Dietrich Mateschitz, themeluesi i Red Bull, ka vdekur në moshën 78-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. I konsideruar si njeriu më i pasur në Austri, sipërmarrësi ndërtoi një perandori globale rreth pijeve energjike. Ai zotëronte 49% të aksioneve të Red Bull, i cili zotëron edhe ekipin F1 me të njëjtin emër.
Pjesa e mbetur prej 51% i përket familjes Yoovidhya, me të cilën Mateschitz kishte bashkëpunuar për prodhimin e pijeve energjike me të njëjtin emër. Pasuria e zotit Mateschitz vlerësohet në rreth 25 miliardë euro duke e vendosur atë në vendin e 51-të në listën e Forbes të njerëzve më të pasur në botë.
Ai përdori pasurinë e krijuar nga pijet energjike për të krijuar ekipin nga Formula 1.
“Është shumë, shumë e trishtueshme, çfarë njeriu i madh”, tha drejtori i ekipit të Red Bull, Christian Horner, ndërsa shtoi se ajo që ai ka bërë për shumë njerëz, në mbarë botën në sporte të ndryshme, është e paçmueshme.