Vendosni fjalën kyçe....

Nis protesta për vrasjen e 32-vjeçarit Lear Kurti pas shoqërimit nga policia, kërkohet dorëheqja e Ramës dhe Çuçit


Dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Ministrisë së Brendshme për të protestuar lidhur me vrasjen e 32-vjeçarit Lear Kurti pas shoqërimit të tij nga policia.

Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama e ministrit të Brendshëm Çuçi, të cilët i bëjnë përgjegjës për vdekjen e të riut.

Qytetarët e mbledhur kanë hedhur parrulla si ‘Kriminela’, ‘Policia e krimit’ e ‘Dorëheqje’. Një protestë e ngjashme u zhvillua edhe pak ditë më parë.

Qytetarët pasi protestuan para Ministrisë së Brendshme, marshuan më pas drejt Kryeministrisë.

Ata kanë deklaruar se ky nuk është rasti i parë që policia është përpjekur të manipulojë vrasjet e qytetarëve nga policia duke përmendur rastin e Klodian Rashës e të 12-vjeçares në plazhin e Himarës.

I riu Lear Kurti ndërroi jetë tre ditë më parë pas shoqërimit nga policia. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i riu ishte dërguar në spital ku kishte ndërruar jetë ndërsa spitali i Traumës në një deklaratë zyrtare tha se viktima kishte shkuar i vdekur.

Në një deklaratë nga AMP-ja e Prokuroria thuhet se të riut i ishte gjetur në stomak një qese e bardhë e çarë megjithatë ekspertiza mjeko-ligjore nuk është publikuar ende.

E ëma e të riut ka akuzuar policinë për dhunë duke thënë se në trupin e tij kishte shenja që e vërtetojnë këtë.