Divizioni 101 Ajror i Ushtrisë Amerikane nuk do ngurronte të hynte në Ukrainë nëse do shpërthejë një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s, raportoi të premten CBS News duke cituar komandantët ushtarakë të njësisë.
Divizioni elitar aktualisht po zhvillon stërvitje luftarake në Rumani, afër kufirit të vendit me shtetin e shkatërruar nga lufta.
Komandantët e njësisë i thanë CBS se ata do ishin të përgatitur të kalonin në Ukrainë nëse luftimet përshkallëzohen – pa sqaruar më tej se çfarë do përfshinte kjo – ose nëse NATO do të sulmohej. Ata theksuan se dislokimi i tyre në Evropë, i pari që nga Lufta e Dytë Botërore, është ‘për të mbrojtur territorin e NATO-s’.
“Ne jemi të gatshëm të mbrojmë çdo pëllëmbë të tokës së NATO-s.” – tha zv.komandanti i trupës, Gjeneral Brigade John Lubas për rrjetin e lajmeve.
Sipas Kolonelit Edwin Matthaidess, komandant i ekipit luftarak të Brigadës së 2-të, divizioni i tij është njësia më e afërt amerikane me luftimet në Ukrainë. Ai vuri në dukje se trupat amerikane kanë ‘vëzhguar nga afër’ ushtrinë ruse.
Rreth 4700 ushtarë amerikanë nga baza e 101-të Airborne në Fort Campbell, Kentucky, janë dërguar në Evropë.
NATO ka deklaruar vazhdimisht se nuk është palë në konflikt dhe nuk do të dërgojë trupat e saj në Ukrainë. Në fund të qershorit, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg njoftoi se blloku i udhëhequr nga SHBA do rrisë ndjeshëm numrin e forcave të tij në gatishmëri të lartë nga 40,000 në mbi 300,000.
Që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Rusisë më 24 shkurt, Ukraina ka marrë ndihmë të konsiderueshme ushtarake nga vendet e NATO-s, me armë në vlerë prej miliarda dollarësh që derdhen në vend , gjë që Moska e ka kritikuar vazhdimisht.
Divizioni 101 Ajror ka një histori të shquar ushtarake. Ajo mori pjesë në operacionet ajrore gjatë zbarkimeve të ‘Ditës D’ në Normandi në 1944 dhe në Betejën e Bulge, ku luftoi në një rrethim të plotë. Njësia ishte gjithashtu e përfshirë në luftërat e Vietnamit, Irakut dhe Afganistanit.