“Në jetën time askund nuk jam futur për të humbur”-deklaroi Ilir Alimehmeti duke shprehur ambicien për të garuar përballë Erion Veliajt në për Bashkinë e Tiranës.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv komentoi primaret në selinë blu dhe zgjedhjet lokale.
“Njerëzit do shohin me kë do përfaqësohen. Termi politik apo jo politik, çdo person madhor ka një përgjegjësi qytetare pjesëmarrje dhe angazhimi në politikë, ka një ditë të parë dhe një ditë të fundit.“-tha Alimehmeti.
Alimehmeti tha se ka një kohë mëse të mjaftueshme për të bërë fushatë për zgjedhjet lokale.
“Rama dhe Veliaj do bëjnë punën e tyre të mbrapshtë. Ne do bëjmë punën tonë, të ngremë simpatizantët që në procesin e primareve përballë një vale me njerëz që në fillim që ti e di që do votojnë PD-në, që këtu ke një shtysë që do vijë duke u shtuar. 4 dhjetori, do njihet dhe fillon puna. Nuk ka pasur një përballje reale Veliaj me një person tjetër. Miti i pathyeshmërisë nuk bazohet në asnjë fakt.”-tha Alimehmeti.
Ai kritikoi rritjen e taksave në sektorin e ndërtimit nga Erion Veliaj duke thënë se një çift i ri nuk blen dot një shtëpi.
Sipas tij, taksat e reja, nga 4 për qind e vlerës së ndërtimit ka shkuar në 7 për qind të vlerës së shitjes. Alimehmeti theksoi se kemi një rritje 10 fish më shumë.
“Taksa e ndërtimit ka qenë 4 për qind e vlerës së ndërtimit dhe tani ka shkuar në 7 për qind të vlerës së shitjes. Para kësaj, një çift i ri me rroga standarde ka pasur mundësinë të merrte një kredi, të blinte një shtëpi.
Me këto taksat e reja, 10 fish e së parës, 4 për qind e vlerës së ndërtimit me 7 për qind të vlerës së shitjes, fsheh faktin që është 10 fish më shumë. Në zonat qëndrore nuk kanë shans fare. Kësaj familjes ja bën të pamundur të blejë shtëpi.”-tha Alimehmeti.