Sali Berisha e ka quajtur “gjueti shtrigash” ndaj Metës nga ana e Ramës, ligjin për hapjen e dosjeve të Sigurimit. Gjatë intervistës për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Berisha tha se ata deputetë të PD-së që bashkuan votat me Ramën bënë një gabim shumë të rëndë.
“Meta është një gjah i mirëfilltë shtrigash i Edi Ramës. Ilir Meta ka dy certifikata. Ato nuk mund të rrëzohen me ligj. A janë të paprekshme? Jo. I çon në gjykatë. Nëse Edi Rama ka materiale për Ilir Metën, le të shkojë në Gjykatë”- tha Berisha.
Lidhur me financimet ruse të PD-së, Berisha i ka bërë thirrje Lulzim Bashës të marrë statusin e të penduarit dhe të tregojë se kujt i’a ka marrë paratë.
Pjesë nga intervista:
Elona Meço: Sondazhet nuk japim pëlqyeshmëri për opozitën. Ka rënie të pëlqyeshmërisë për qeverinë dhe kryeministrin, por nuk ka rritje për opozitën. Ju jeni “non grata” në SHBA, Lulzim Basha me hijen e financimit të supozuar rus, Ilir Meta me hijen e bashkëpunimit të supozuar me Sigurimin e Shtetit. Sa e dëmton kjo opozitën në zgjedhje?
Sali Berisha: Ky tren nuk u ndal. U bënë përpjekje të jashtëzakonshme ta ndalin që ditën kur nisi rrugën në 9 shtator, por ky tren nuk u ndal. Marshon pa ndalur. Të garantoj që do të çojë PD në fitore. Në lidhje me rastet e tjera, Lulzim Basha duhet të qartësojë se është akuzuar një herë nga mediat, një herë nga komuniteti i shërbimeve inteligjente amerikane, që ka gjetur se PD është financuar me para ruse, po të kemi parsysh Biniatën me 620 mijë usd, atëherë Lulzim Basha, në rast se do që të mos i mbetet njollë, të thotë se kujt ia ka marrë ato para.
Elona Meço: Deri tani askush nuk i ka thënë vetë burgut “hapu”.
Sali Berisha: Jo, i thuhet. Në këtë rast po. Të regjistrohet “pentito”. Të shkojë në drejtësi dhe të regjistrohet “pentito”.
Elona Meço: Nëse e bën këtë, mund të nxjerrë shumë gjëra Lulzim Basha.
Sali Berisha: Le të nxjerrë çdo gjë. Të shkojë të regjistrohet i penduar, por vetëm të zbardhë të vërtetën si i penduar. Personalitete të diasporës më kanë konfirmuar se kanë firmosur deklarata për para që nuk i kanë dhënë dhe janë të gatshëm ta deklarojnë para drejtësisë. Po prorkuroria shqiptare kishte urdhër nga Edi Rama të mbyllë çështjen dhe nuk mori në pyetje asnjë prej tyre. Ndërsa Meta, është një gjah i mirëfiltë shtrigash i Edi Ramës.
Elona Meço: Ç’të keqe ka gjahu, nëse ka shtriga mes jush?
Sali Berisha: Personi që akuzohet se është paditur nga Ilir Meta deklaron publikisht se kurrë nuk e kam biseduar atë çështje. Ka qenë tjetër Ilir ai. Ilir Meta ka dy çertifikata. Ato nuk mund të rrëzohen me ligj. A janë të paprekshme? Jo. I çon në gjykatë.
Elona Meço: Edhe me ligj mund të ndryshohen. Ka një praktikë të Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë se interesi publik konkuron me sigurinë juridike dhe prevalon ndaj tij.
Sali Berisha: Qeveria ime pati bërë një gabim, i dha kryetarit të qarkut një të drejtë për rishqyrtimin e titujve dhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. Se nuk të heq dot me masë administrative një të drejtë që ke fituar me ligj. Se cila është e drejta, le ta nxjerrë gjykata.
Elona Meço: Po gjykata është e Edi Ramës, sipas asaj që thatë.
Sali Berisha: 100% dakord me ty, por në një shtet ligjor, siguria juridike nuk mund të cënohet kurrë dhe Gjykata Kushtetuesee ka përcaktuar shumë drejt. Nëse Edi Rama ka materiale për Ilir Metën, le të shkojë në Gjykatë.
Elona Meço: Do ta çoni në Gjykatë Kushtetuese këtë ligj?
Sali Berisha: Ne kemi në parlament ligjin e lustracionit. Tani loja që bëri Edi Rama me këta që e votuan ligjin, këta bënë një gabim, ndoshta nga më të rëndit që mund të kenë bërë në tërë karrierën e tyre. Të pretendosh që me Edi Ramën të mbrosh të drejtat e të përndjekurve, pasi ata e kanë pësuar më shumë nga Sigurimi, do të thotë të tallesh me veten. Demokratët e vërtetë janë për lustracinin, janë për dekomunistizimin. Të bashkosh votat me Edi Ramën besoj se nuk tregon opozitarizëm. Ata nuk mbrojtën ligjin e tyre të lustracionit, meqë e paskan dërguar. Pra, këtu u votua për një amendament për gjah shtrigash në duart e Edi Ramës, kundër Ilir Metës dhe të tjerëve me radhë.
Elona Meço: Së fundmi, ju jeni aktiv edhe në Tik Tok, le ta quajmë një platformë që ka target rininë. Besoni se mund të angazhoni vota nga tik tok?
Sali Berisha: Preferenca për Sali Berishën tek të rinjtë krahasuar me Edi Ramën është 2-3 me 1 në favor. Të rinjtë nuk e duan atë. Pavarësisht nga Tik Tok, ata votojnë Sali Berishën sepse gjejnë motivin “never give up”, kurse te Edi Rama gjejnë arrogancën. “Kurrë mos u dorëzo!
Elona Meço: Vazhdoni të mos paguani për rrjetet sociale? I keni ndjekesit dhe likes bio?
Sali Berisha: Jo, nuk paguaj. Kurrë nuk paguaj për likes.
Elona Meco: Dhe si mund t’i përktheni ndjekësit në votë?
Sali Berisha: Me shpresë! Vota është e lirë, por shpresoj që po, se ka një klimë tjetër. Ai bën dyfishin e postimeve, unë kam dyfishin e ndjekësve.
Elona Meço: Ai ka më shumë ndjekës se ju, 500 mijë më shumë .
Sali Berisha: Interesin për faqen e kam unë, po ato i ka të blera ai. Vetëm në fushatën e fundit ka shpenzuar sipas KQZ 32 mijë euro blerje, kurse ai që ishte karshi tij 52 mijë euro. Këtej i linte kandidatët pa financa dhe i përdorte për likes për vete. Këta janë qesharakë të dy. Iku ai, por dhe ky do të ikë.
Elona Meço: Me protesta apo me votë?
Sali Berisha: Me të gjitha.
Elona Meço: Kur i nisni protestat?
Sali Berisha: Shumë shpejt. Brenda këtyre 2-3 ditëve caktojmë datën.
Elona Meço: Pra për vjeshtën e vonë fare apo për dimrin?
Sali Berisha: Jo e vonë, është e afërt fare.