Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Lear Kurtit ia morën shpirtin të paktën katër xhelatë me uniformë, më pas e vranë për së dyti Rama, Çuçi e Veliu 


Kreu i PD-së Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediet nga selia blu, ku ka folur për ndarjen nga jeta të Lear Kurtit, gjatë kohës që ishte i shoqëruar nga efektivë të policisë në komisariat.

Berisha u shpreh se 32-vjeçarin e vrau dhuna e të paktën katër policëve. Ai shtoi se mes tyre kishte edhe efektivë të droguar.

 Kryedemokrati akuzoi kreun e AMP-së Ardi Veliun se i gënjeu shqiptarët për rastin e Leartit për të fshehur dhunën policore.

“Gazetarët kanë bërë investigime, kanë sjellë fakte dhe prova shterruese për mbytjen e Lear Kurtit, të riut 32-vjeçar, nga banditë me uniformë të droguar.

‘O noke, më mbytën’, ishte klithma para se të jepte shpirt, sipas dëshmitarit të pranishëm në vendngjarje dhe mikut të Lear Kurtit.

Investigimet serioze të rrjeteve televizive hodhën poshtë si trillime të turpshme pretendimet e Edi Ramës dhe Çuçit të tij të familjes, hodhën poshtë trillimet, manipulimet dhe inskenimet e një krimineli me uniformë të pashoq në radhët e policisë shqiptare, Ardi Veliu, i cili për të mbrojtur padronët e tij si puthadorë, përdhosi dhe vrau për së dyti Lear Kurtin.

Investigimet e rrjeteve televizive faktuan se mbi Lear Kurtin një bandë prej katër policësh, sigurisht prej tyre të droguar, u vërsulën në rrugë me një egërsi çnjerëzore.

Këto filmime faktuan se Ardi Veliu, ky mashtrues i paskrupullt, gënjeu shqiptarët kur deklaroi se Lear Kurti po qëndronte para një objekti, për të krijuar përshtypjen se po përgatitej për një akt delikuent, në një kohë kur ai po ecte i vetmuar, nga kamerat, duke biseduar me mikun apo familjarët e tij.”- tha Berisha.

Një mashtrim i paskrupullt i policisë u hodh gjithashtu poshtë, se sipas tyre, patrulla prej dy policësh, e ndaloi atë. Pranë tij, në barbarinë që u ushtrua ndaj tij në rrugë, ishin të paktën katër, në mos më shumë policë e banditë me uniformë.

Të dhënat faktuan se trupi i tij kishte hematoma, ekspertë mjeko-ligjorë denoncuan kryerjen e autopsisë në kundërshtim me ligjin nga një bandë që donte të fshihte të vërtetën. Tashmë nuk ka asnjë dyshim se Lear Kurtit i morën shpirtin, xhelatë me uniformë.

Pasi i morën shpirtin, e dërguan në spital. Pasi e dërguan në spital në kundërshtim flagrant, i bënë autopsinë pa asnjë konsent, pa asnjë prani të familjarëve apo avokatëve të tij. E bënë si bandë për të fshehur krimin e tyre të shëmtuar. Një akt i tillë ndodh vetëm në diktatura, kurrë në vende të lira.

Nëse donin të zbardhnin të vërtetën për një 32-vjeçar që i morën shpirtin, këta kurrë nuk mund të shkelnin procedurën strikte të investigimit në raste të tilla të ngjashme, e cila kërkon të paktën 12 orë të lihet kufoma e të ndjerit, dhe pastaj të bëhet autopsia dhe kurrë me një ekspert të vetëm. Nën presionin e një banditi si Ardi Veliu. Por gjithmonë nga një gruop ekspertësh të betuar për të thënë të vërtetën.”– tha Berisha.

Ish-kryeministri u shpreh se të gjitha këto kanë ndodhur me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçit. Këta bashkë me Ardi Veliun, sipas tij e vranë për së dyti të riun ndaj u bën thirrje qytetarëve të vijojnë protestat.

“Të gjitha këto u bënë me urdhër të Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Me urdhrin e tyre, viktima u deklarua i dyshimtë dhe delinkuent. Me urdhrin e tyre, Ardi Veliu deklaroi se policia e çoi të gjallë në spital.

Me urdhrin e tyre, u bë me urgjencë autopsia me urgjencë për të fshehtë të vërtetën.

Me urdhrin e tyre u gjet qesja plastike me drogë në stomak. Me urdhrin e tyre u dha se vdiq nga overdoza.

Pra, vrasësi për herë të dytë i Lear Kurtit është Edi Rama, Çcuci dhe kriminel i tyre Ardi Veliu.

Ndaj ftoj qytetarët që të vazhdojnë protestat më gjithë forcën e tyre, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten.

Mos harroni se secili prej jush mund të jetë viktimë e këtyre banditëve të pakontrolluar, që kryejnë veprime të diktuara nga droga që marrin, dhe droga që shpërndajnë.”- tha Berisha.