Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson tërhiqet nga gara për kreun e konservatorëve


Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është tërhequr nga gara për udhëheqjen e Partisë Konservatore, duke i hapur kështu një rrugë për postin e kryeministrit në Mbretërinë e Bashkuar për ish-ministrit të Financave Rishi Sunak, aktualisht i preferuari i garës.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën në mbrëmje, Johnson tha se ai kishte hequr dorë nga gara dhe do ndihmonte partinë për të fituar zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.

Ai zbuloi se kishte kontaktuar me të dy kandidatët për udhëheqje – ish-ministrin e tij Rishi Sunak dhe ish-Sekretaren e tij të Mbrojtjes Penny Mordaunt, duke shpresuar që të ‘bashkohen për interesin kombëtar’. Megjithatë, nuk është gjetur ende mënyra e duhur për ta bërë këtë, shpjegoi ish-kreu i qeverisë.

Deklarata e Johnson erdhi në një ditë kur disa nga aleatët e tij prej kohësh, duke përfshirë Suella Braverman, e cila kishte shërbyer si Prokurore e Përgjithshme në qeverinë e tij, mbështetën Sunak.

Afati i fundit për të hyrë në garën për udhëheqjen e Partisë Konservatore përfundon në orën 14 të së hënës. Sunak tani kryeson, me më shumë se 140 deputetë që që e mbështesin publikisht, ndërsa Penny Mordaunt ka pak më shumë se 20 deputetë që e pëkrahin.

Nëse Mordaunt ose ndonjë kandidat tjetër arrin pragun e 100 votave, gara do shkojë në votim elektronik nga anëtarët e Partisë Konservatore. Nëse Sunak mbetet i vetmi kandidat që kalon pragun, ai do shpallet kryeministri i ardhshëm të hënën.

Vendimi i Johnson për t’u tërhequr nga gara me sa duket do të jetë një zhgënjim për shumë anëtarë të Partisë Konservatore. Një sondazh i fundit i YouGov zbuloi se 32% e të anketuarve do dëshironin që Johnson të kthehej si kryeministër, pavarësisht një sërë skandalesh dhe dorëheqjesh të kabinetit që përshpejtuan largimin e tij.

Sunak, sipas sondazhit, mbetet dukshëm prapa ish-shefit të tij në popullaritet: vetëm 23% e 530 të anketuarve konservatorë shprehën mbështetje për të.