Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis ka kritikuar vendimin e fundit të CDC-së (Qendrat për Parandalimin e Kontrollin e Sëmundjeve) për ta shtuar vaksinën kundër Covid-19 në programin e vaksinimit të fëmijëve.
Gjatë një takimi me qytetarët ai tha se për aq kohë sa do ishte në detyrë nuk do e lejonte diçka të tillë duke shtuar se kjo ishte një e drejtë prindërve të cilët duhet të vendosin në mënyrë vullnetare nëse duan t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.
“Ka patur shumë pyetje mbi vendimin e fundit të CDC për ta shtuar vaksinën Covid ne programin e vaksinimit të fëmijëve. E di që shumë prindër me të drejtë shqetësohen, sepse nëse një vaksinë bën pjesë në kalendarin e imunizimit, shkolla mund të kërkojë vaksinimin e fëmijës, edhe kundër dëshirës së prindërve. Dua që të jetë e qartë për të gjithë, për sa kohë unë të jem guvernator, madje për sa kohë të marr frymë, nuk do ketë detyrim për të kryer vaksinën Covid për fëmijët. Është vendimi juaj. Është vendimi juaj si prindër, janë vaksina të reja, mos i krahasoni me ato të dekadave të shkuara. Shumica e prindërve në Florida nuk e kanë pranuar këtë vaksinë për fëmijët dhe Kreu i Shëndetit Publik këtu, nuk e rekomandon këtë për fëmijët e të rinjtë. Të mos flasim për efektet anësore, po kjo vaksinë nuk ka dobi për fëmijët.” – tha DeSantis.