Vendosni fjalën kyçe....

“Ka bezdisur qeverinë me komentet për Ukrainën” – Bizneset e Elon Musk në rrezik hetimi në SHBA


Elon Musk mund të përballet me një hetim federal në SHBA, pasi i ka bezdisur zyrtarët me komentet e tij për Ukrainën, ka pohuar Bloomberg, duke cituar burime anonime në qeveri.

Personat brenda qeverisë amerikane dhe komunitetit të inteligjencës po ‘peshojnë se çfarë mjetesh, nëse ka’ janë në dispozicion për të hetuar miliarderin, thuhet në raportin e së premtes. Këto diskutime u përshkruan si ‘një fazë e hershme’.

Një nga mundësitë, sipas Bloomberg, është që sipërmarrjet e biznesit të Musk t’i nënshtrohen një rishikimi nga Komiteti ndërinstitucional për Investimet e Huaja në Shtetet e Bashkuara (CFIUS). Organi mund të hedhë poshtë marrëveshjet e investimeve që përfshijnë kapital të huaj bazuar në konsideratat e sigurisë kombëtare.

Musk së fundmi i ka bërë zyrtarët amerikanë ‘të bezdisur’ raportoi Bloomberg, me ankesat e tij për moskompensimin për shërbimet që firma e tij SpaceX i bëri qeverisë ukrainase.

Kompania ofron qasje satelitore Starlink me brez të gjerë në departamentet dhe ushtrinë e qeverisë ukrainase për të siguruar komunikime të qëndrueshme.

Kjo u vlerësua si një ndihmë tejet e rëndësishme për vendin në luftën e tij kundër Rusisë. Musk, i cili pretendoi se kishte shpenzuar rreth 80 milionë dollarë për pajisje dhe shërbime falas, kërcënoi se do mbyllte qasjen nëse nuk paguhet nga dikush tjetër.

Ai bëri gjithashtu një sërë sugjerimesh për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, të cilat bien ndesh me qëllimin e Uashingtonit për të ‘mposhtur Rusinë’ në mënyrë strategjike. Kievi kritikoi propozimet e Musk për t’i bërë lëshime Moskës në emër të paqes.

Burimet e Bloomberg sugjeruan se objektivi kryesor i një rishikimi të sigurisë, nëse një i tillë niset, do ishte blerja e Tëitter-it e propozuar nga Musk. Ai mori mbështetje nga Kingdom Holding Company të Arabisë Saudite dhe fondi sovran i pasurisë së Katarit, në ofertën e tij të blerjes.

Shkëmbimi i kriptove Binance, i cili drejtohet nga biznesmeni kinezo-kanadez Changpeng Zhao, është një tjetër investitor që mund të perceptohet si problematik, thuhet në raport.