Vendosni fjalën kyçe....

Lori Hoxha nuk e ka fshehur kurrë që noton në luks, guximi i trashëgimtares së TCH për të sfiduar modelet e vjetra


Duhen këllqe ta jetosh jetën jashtë modeleve që i gjen vërdallë. Për shembull, duhen këllqe që të sfidosh kushtet ekonomiko-sociale e të edukohesh duke fituar bursa e studiuar më shumë se i gjithë fisi bashkë, po duhen këllqe edhe që të sfidosh miqtë që të orientojnë drejt shtëpive të barit në Britaninë e Madhe për të bërë ca para shpejt e shpejt, po duhen këllqe edhe të ndjekësh pasionet.

Këllqe duhen sidomos që të sfidosh çdo model kujdesi ndaj pasurisë që kanë bërë parardhësit e tu duke u rebeluar ndaj thjeshtësisë false sikur ti je personi që vesh një bluzë që nuk kushton më shumë se 10 dollarë a nget një biçikletë.

Guximi duket se nuk i mungon një njeriu me rëndësi në hapësirën publike shqiptare, Lori Hoxhës.

Si vajzë e re e me ambicie për të drejtuar perandorinë mediatike që i la i ati, trashëgimtarja nuk ka hequr kurrë dorë nga shfaqja reale e natyrës së saj për hir të të qenit në rregull me imazhin e një të pasuri që nuk i jeton pasuritë e veta.

Lori Hoxha ka pasione të mëdha në stilin e saj të jetesës; veshjet, çantat, makinat, udhëtimet.

Ajo nuk e ka fshehur kurrë që mund të blejë një këmishë mbi 600 euro, të kombinojë veshje që në një dalje i kushtojnë 8 mijë euro, apo të përdorë një orë dore që kushton rreth 130 mijë euro. Ndër pasionet që trashëgimtarja e Top Channel i ka ndarë me të gjithë ndjekësit me krenari janë udhëtimet, teksa ka bujtur edhe në hotele që shkojnë edhe 1200 euro nata. Dashamirëse e firmave si “Gucci”, “Prada”, “Valentino”, “Balenciaga” etj. por nga ato realet-reale, jo imitimet që veshin shqiptarët e thjeshtë, Lori Hoxha ka ditur mjaft mirë t’i përshtasë me elegancën e vet.

Ajo që e karakterizon trashëgimtaren Hoxha është qëndrueshmëria për t’i shfaqur publikisht pa brejtje ndërgjegje pasionet e veta, edhe në sfidë me trashëgimtarë të tjerë të perandorive mediatike në Shqipëri. Ajo ka ditur ta lërë pas në këtë garë edhe djalin e Irfan Hysenbelliut, i cili ka qenë i lëkundur në guximin e shpërfaqjes së imazhit të vet publik si një trashëgimtar me shumë para. Natyrisht Fatmir Hysenbelliu është edhe komod në aspekt të mungesës së ngarkesës së përgjegjësisë që Lori Hoxha po mban mbi supe në perandorinë mediatike që po drejton, duke qenë se perandoria mediatike Hysenbelliu po drejtohet nga i ati, Irfan Hysenbelliu.

A nuk është guxim të thyesh falsitetin e thjeshtësisë, kur kjo pasunare e pushtetit të medias në Shqipëri, një pushtet ngritur për t’i shërbyer publikut, është e sinqertë para këtij publiku duke treguar haptazi se çfarë stili jete ka?!

A nuk duhet ne si publik të kërkojmë tani e tutje nga pasunarë të pushtetit që na shërbejnë më shumë transparencë, siç na ka treguar modeli i Lori Hoxhës?!

A ka ardhur koha që të rinj si ajo të mos fshihen pas gishtit, të jetojnë me guximin e rebelimin për të treguar se po, ata janë super të pasur, notojnë në luks dhe kanë krenarinë e ndershmërinë që para publikut të tyre të mos fshehin asgjë?!