Organi i Kombeve të Bashkuara për parandalimin e torturës ka pezulluar turneun e tij në ambientet e paraburgimit në Australi, duke përmendur përpjekjet e autoriteteve lokale për të penguar punën e tij, sipas deklaratës së organizatës të lëshuar të dielën.
Nënkomiteti i OKB-së për Parandalimin e Torturës (SPT) vuri në dukje se delegacioni i tij ‘është penguar të vizitojë disa vende ku njerëzit mbahen të ndaluar’ ndërsa ankohet për ‘vështirësitë në kryerjen e një vizite të plotë në vende të tjera’. Inspektorëve nuk iu dhanë të gjitha informacionet dhe dokumentacionin që kishin kërkuar, tha organizata.
SPT vazhdoi të akuzonte Australinë për ‘shkelje të qartë’ të detyrimeve të saj sipas Protokollit të Konventës kundër Torturës (OPCAT), duke shtuar se inspektimi, i cili filloi më 16 tetor dhe duhej të zgjaste deri më 27 tetor, ishte ‘kompromentuar në atë masë sa nuk kishte zgjidhje tjetër veç pezullimit’.
Fillimisht, SPT-ja u përpoq të vlerësonte gjendjen në terren dhe ‘të shqyrtonte masat ekzistuese të mbrojtjes kundër torturës’ dhe trajtimeve të tjera mizore.
Organi i OKB-së ndaloi inspektimin pasi në fillim të kësaj jave delegacionit të tij iu mohua hyrja në një objekt në qytetin Queanbeyan në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, në Australinë lindore.
Sipas raporteve të mediave lokale, Queensland, një shtet tjetër australian, gjithashtu bllokoi vizitat në institucionet e shëndetit mendor, duke cituar legjislacionin vendas të shëndetit.
Duke shpjeguar vendimin për të penguar inspektorët e OKB-së nga ekzaminimi i objektit të Queanbeyan, Geoff Lee, ministër në Uellsin e Ri Jugor, argumentoi se ‘i gjithë roli i sistemit tonë të burgjeve është t’i mbajë njerëzit të sigurt’ dhe t’i mbrojë ata nga kriminelët.
Qëndrimi zyrtar shkaktoi një reagim të ashpër nga ish-kryeministri australian Malcolm Turnbull, i cili u kërkoi autoriteteve lokale të ‘mendojnë me kujdes për bllokimin e inspektorëve të OKB-së.
Protokolli Konventës kundër Torturës, i cili është ratifikuar nga 91 vende, përfshirë Australinë, i detyron anëtarët e tij që të lejojnë SPT-në të bëjë vizita të paparalajmëruara dhe të papenguara në ‘të gjitha institucionet e heqjes së lirisë’, si dhe të bisedojnë privatisht me ta pa dëshmitarë.