Hungaria u ka rezistuar gjithmonë perandorive dhe ka mbijetuar, tha kryeministri Viktor Orban teksa u ndal te përpjekjet e BE-së për të ushtruar presion ndaj Budapestit.
Deklarata erdhi gjatë një fjalimi në qytetin perëndimor të Zalaegerszeg, të dielën, kushtuar 66-vjetorit të fillimit të kryengritjes së vitit 1956 në Hungarinë e atëhershme komuniste, e cila u shtyp me forcë nga Bashkimi Sovjetik.
“Të mos shqetësohemi me ata që duan të godasinë Hungarinë nga hija apo nga lartësitë e Brukselit. Ata do të përfundojnë aty ku përfunduan paraardhësit e tyre.” – tha Orban.
“Ne ishim këtu kur na sulmoi perandoria e parë pushtuese dhe do të jemi këtu kur të shembet e fundit.” – vazhdoi ai.
Më pas ai shtoi: “Ne jemi fitimtarë edhe kur jemi të mundur.”
Brukseli ka akuzuar Hungarinë, e cila ka qenë anëtare e BE-së që nga viti 2004, se ka një histori të dobët demokratike dhe ka përmendur korrupsionin e dyshuar nën qeverisjen e Orban. Ajo ka kërcënuar vendin me shkurtime fondesh.
Budapesti ka kundërshtuar të ndjekë linjën e përgjithshme të bllokut për konfliktin në Ukrainë dhe ka kundërshtuar të dërgojë armë në Kiev, ndryshe nga shumë anëtarë të tjerë të BE-së.
Në fillim të shtatorit, Mikulas Bek, ministri i Çështjeve Evropiane të Republikës Çeke, paralajmëroi se qëndrimi i Hungarisë ndaj Rusisë mund të çojë me daljen e Budapestit nga blloku.