Është zbardhur dëshmia e Elidon Çelës, pronarit e njëkohësisht drejtuesit të autobusit ku pak ditë më parë u sekuestruan rreth 520 mijë euro dhe një sasi mallrash të dyshuara kontrabandë.
Ai ka pohuar se shuma e lartpërmendur vjen nga kursimet e familjes së tij e të ardhura nga biznesi. Çela ka pohuar se është i gatshëm të vërë në dispozicion faturat që e vërtetojnë këtë gjë.
Lidhur me mallrat e sekuestruara ai ka pohuar se ato u përkasin shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Itali. Sasia e eurove dhe mallrat u kapën në autobusin e linjës Padova-Lushnjë.
Çela ka thënë gjithashtu se mallrat i ka deklaruar në doganën e Barit, Itali ndërsa lidhur me lekët tha se nuk i tregoi askujt nga frika e grabitjes.
“Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit. Kemi biznes, paratë janë kursime të familjes, do investoja në toka me qira dhe bujqësi. Askush nuk e dinte për paratë në autobus, kisha frikën e ndonjë grabitjeje.” – ka thënë Çela.
Dy ndihmësit e tij, Dritan Kamberi e Arnold Cankja janë lënë në detyrim paraqitjeje. Ata kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni për shumën e eurove që u gjetën në autobus.