Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve vendore të së dielës në 14 komuna në Mal të Zi, forcat politike pro-ruse dhe pro-serbe, janë fituese në 10 syresh, duke lënë prapa Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit malazez Milo Gjukanoviç.
Zgjedhjet e së dielës shihen si një sprovë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe orientimin politik të vendit të vogël ballkanik që është anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Partitë politike që e nxorën nga qeveria partitë e presidentit Gjukanoviç në zgjedhjet e përgjithshme të muajit gusht të vitit 2020 do të formojnë pushtetin komunal në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi dhe në qytetet Plevla, Kolashin, Danilovgrad, Zhablak, Zeta, Budva, Tivat, Pluzinë dhe Savnik, raporton VOA.
Partia e presidentit Gjukanoviç pritet të mbajë pushtetin në Tivar, Bijelo Polje, Rozhajë dhe Plavë.
Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT) edhe pse partia pro-europiane e presidenti Gjukanoviçt fitoi më së shumti mandate në disa qytete, për shkak të mungesës së koalicioneve paszgjedhore, pushtetet vendore do të formohen nga kundërshtarët e tij politikë.
Në garën për parlamentin e Podgoricës, i cili numëron 58 vende, Partia Demokratike Socialiste fitoi 24 mandate, Lëvizja e sapothemeluar Evropa Tani 13, Fronti Demokratik 11, Demokratët 6 dhe lëvizja qytetare URA me Alternativën Shqiptare fitoi 4 mandate.
Rezultatet e zgjedhjeve u festuan në rrugët e Podgoricës me fishekzjarrë dhe me ikonografi e këngë nacionaliste serbe.
Analisti politik Milosh Beshiç vlerësoi se në këto zgjedhje, Partia Demokratike Socialiste humbi mbështetjen e rreth pesë për qind të elektoratit dhe se kjo nuk është rënie radikale, por sistematike.
“Erozioni i kësaj partie është shumë i qartë. Është e dukshme se Partia Demokratike Socialiste nuk e kuptoi mesazhin e votuesve në vitin 2020 kur humbi pushtetin. Ndarjet dhe retorika e ashpërsuar për çështjet e identitetit nuk sjellin fitore. Nëse vazhdojnë me këtë strategji të komunikimit politik, erozioni i kësaj partie do të vazhdojë”, tha analisti Beshiç.
Lëvizja e themeluar së voni, “Evropa Tani”, drejtuesit e së cilës janë Jakov Milatoviç dhe Milojko Spajiç, dy ish ministra të qeverisë së rrëzuar të ish kryeministrit Zdravko Krivokapiç, fitoi një përqindje të dukshme votash, përfshirë edhe Podgoricën. Të dy janë bashkautorë të programit ekonomik të qeverisë së kaluar, në bazë të të cilit janë rritur pagat dhe pensionet e qytetarëve, por vlerësohen si lëvizje e ndikuar nga Kisha Ortodokse Serbe.
Këto zgjedhje u vlerësuan si shumë të rëndësishme pasi gara u zhvillua mes dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi. Në njërën anë ishin partitë pro-malazeze të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual, Milo Gjukanoviç, që mbi 30 vite e mbanin pushtetin në Mal të Zi dhe në anën tjetër ishin partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb dhe pro-rus.
Zgjedhjet u mbajtën në kulmin e krizës politike në vend, pasi qeveria në largim e kryeministrit Dritan Abazoviç humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formojë një qeveri të re. Zgjedhjet e së dielës vlerësohen po ashtu si një test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi.