Vendosni fjalën kyçe....

Pas Johnson edhe Mordaunt tërhiqet nga gara, Rishi Sunak konfirmohet si kryeministri i ri britanik


Humbësi i shtatorit është bërë fituesi i tetorit. Pas Boris Johnsonit, edhe kandidatja tjetër Penny Mordaunt ka hequr dorë nga gara për lidershipin e Partisë Konservatore dhe rrjedhimisht edhe postin e kryeministrit, që do të thotë se Rishi Sunak është kryeministri i ardhshëm.

Kështu siç shkruan BBC, shtatë javë pasi humbi përballë Liz Truss në garën e parë të lidershipit konservator, këtë radhë Rishi Sunak doli fitues.

Në një deklaratë për mediet, Mordaunt tha se kolegët e saj në shumicë kanë zgjedhur t’i besojnë Sunak. Kështu që edhe ajo i jep atij mbështetjen e saj.

“Si rrjedhim, ne kemi zgjedhur tashmë kryeministrin tonë të ardhshëm. Ky vendim është historik dhe tregon edhe një herë diversitetin dhe talentin e partisë sonë. Rishi ka mbështetjen time të plotë.”- tha kandidatja. Për momentin jemi ende në pritje të konfirmimit se kur Sunak do të bëhet zyrtarisht kryeministër. Kjo mund të ndodhë nesër.

Sunak do të bëhet kryeministri i parë britanik aziatik i Mbretërisë së Bashkuar dhe do të marrë detyrën pasi Britania e Madhe po përballet me sfida të mëdha ekonomike.