Vendosni fjalën kyçe....

Rriten çmimet e qirave edhe për zyrat


Jo vetëm çmimet e qirave të shtëpive janë rritur. E njëjta tendencë po konstatohet edhe për zyrat.

Stela Dhami, menaxhere ekzekutive në kompaninë “Colliers International Albania”, tha për “Monitor” se këtë vit, rritja mesatare e qirave të zyrave varion nga 15 deri në 18%.

Në raport me vjet, rritja është më e lartë te zyrat që ndodhen në ndërtesa me cilësi të lartë. Për këtë kategori, çmimet e zyrave janë rritur nga 22 deri në 24% më shumë se në vitin 2021.

“Sektori i zyrave vijon të ketë ndryshime, si pasojë e rritjes së ofertës në treg dhe pritshmërisë për rritje të stokut në afatmesëm. Momentalisht, godinat e reja, të cilat priten të hyjnë në treg në vitin e ardhshëm, kanë një ofertë çmimi më të lartë se çmimet aktuale të zyrave.

Çmimet për ambiente me zyra më të mira kanë arritur deri në 37 euro/m² nga çmimi mesatar prej 25 euro një vit më parë.

Këto godina priten t’u japin qiramarrësve një mjedis më modern zyrash dhe disa prej tyre priten të sjellin në treg edhe certifikime ndërkombëtare si ato LEED (Leadership in Energy and Environmental Design). Këto certifikime janë të nevojshme dhe në shumë raste të domosdoshme për korporata ndërkombëtare, të cilat synojnë godina me ndikim sa më të ulët negativ në mjedis.

“Colliers International Albania”, si mbështetëse e nismave për modernizimin dhe gjelbërimin e këtyre godinave, ofron prej vitesh shërbimin e certifikimit sipas standardeve LEED, BREEAM dhe WELL.

Këto standarde mbeten shumë të rëndësishme për të tërhequr qiramarrës institucionalë, të cilët nga ana e investitorëve kërkohen më shumë, sepse janë të sigurt dhe qëndrojnë në godina për një kohë më të gjatë.

Mjedisi i punës është bërë edhe më i rëndësishëm për tërheqjen e punonjësve të duhur, sidomos me ndryshimin e mënyrës së të punuarit pas pandemisë së COVID-19, ku shumë punonjës u mësuan dhe me mënyrën elastike të të punuarit.

Sot, ndarja e duhur e hapësirave të brendshme, orientimi i zyrave në përputhje me dritën natyrale, përdorimi me racionalitet i energjisë elektrike, sidomos në ditët e një krize globale energjetike si kjo që po kalon bota aktualisht, ka rritur rëndësinë e godinave të reja dhe eficiente në përdorimin e energjisë elektrike dhe ujit.

Parashikojmë që kërkesa për këto godina të jetë e lartë, pavarësisht se çmimet e qiradhënies vijojnë të mbeten më të larta në gjithë Ballkanin”.

Znj. Dhami thotë se këtë vit është hera e parë që kërkohen dhe jepen me çmime kaq të larta për zyrat”.

“Godinat e reja priten të tërheqin klientë të korporatave nga godinat ekzistuese të stokut të zyrave të Tiranës, të cilat do të duhen të ambientohen me situatën e re. Ndërkohë këto godina do të ndikohen më pak negativisht, nëse kryejnë investimet e duhura për t’i përditësuar këto godina dhe në rast se luajnë një politikë më elastike me çmimet.

Është me interes për investitorët, sepse ekziston mundësia për të certifikuar dhe godinat ekzistuese. Në periudhën afatmesme nuk pritet që të ketë ulje çmimesh në këto godina, por pritet të rriten nismat tërheqëse që do të ofrojnë për të afruar klientët, si p.sh., pjesëmarrje në investim, ose një periudhë e caktuar e shfrytëzimit të ambientit pa qira.

Godinat më të vjetra të klasit A që kanë mbi një dekadë në treg do të duhet të jenë më fleksibël dhe të ofrojnë lehtësi për t’i mbajtur klientët dhe për të mos i lënë të largohen drejt godinave të reja.

Në vijim, pritet ndryshim edhe në mendësinë e investitorëve me përvojë në fushën e ndërtimit, të cilët po u afrohen më shumë tregut perëndimor në pritshmëritë që kanë për cilësitë e ndërtimit, si dhe për certifikimin e godinave që do të ndërtojnë”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor