Rusia e sheh jashtëzakonisht shqetësuese retorikën perëndimore në lidhje me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Kështu tha për mediat të hënën drejtori i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, Sergey Naryshkin.
“Më duket jashtëzakonisht shqetësuese retorika perëndimore në lidhje me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Është e palejueshme.”– tha Naryshkin.
Ai vuri në dukje se bota nuk duhet të lejojë një situatë ku Kievi do të kishte armë bërthamore.
“Që regjimi aktual i Kievit dëshiron të zotërojë armë bërthamore njerëzimi ka mundur ta shohë në disa raste, duke filluar nga dita kur Presidenti Zelensky foli në një konferencë sigurie në Mynih. Ambiciet e tij për të zotëruar armë bërthamore ishin të qarta që atëherë. Bota nuk duhet të lejojë që kjo të ndodhë.”- tha Naryshkin sipas TASS.
Ndërsa kur u pyet nëse retorika ruse linte hapësirë për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, Naryshkin u përgjigj i bindur: “Jo, absolutisht jo”.
Shefi i inteligjencës së jashtme të Rusisë kujtoi gjithashtu bisedat e djeshme midis ministrit rus të Mbrojtjes Sergey Shoigu dhe homologëve të tij në Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe Francë. Shoigu u përcolli kolegëve të tij shqetësimet e Rusisë rreth provokimeve të mundshme nga Ukraina që përfshijnë një të ashtuquajtur “bombë ndotëse”. Të premten dhe të dielën, Shoigu foli në telefon me shefin e Pentagonit, Lloyd Austin. Por perëndimi shqetësimet e Shoigut i ka parë si justifikim për përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës.