Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti pesë ditë më parë pas shoqërimit nga policia, çfarë dihet deri tani


Një ngjarje e rëndë pesë ditë më parë teksa natën e 19 tetorit 32-vjeçarit Lear Kurti ndërroi jetë pas shoqërimit nga policia.

E gjithë ngjarja është ende e mbushur me paqartësi duke qenë se nuk dihet ende shkaku i vërtetë i vdekjes së të riut.

Ndërsa pas ngjarjes policia pretendoi se i riu kishte ndërruar jetë në spitalin e Traumës, ky i fundit e hodhi poshtë duke theksuar se 32-vjeçari kishte mbërritur pa shenja jete aty.

Në asnjërin nga njoftimet e policisë apo prokurorisë nuk flitet për ndonjë episod dhune nga ana e efektivëve që shoëruan Kurtin, ndërsa është pohuar se atij i është gjetur në stomak një qese e bardhë e dyshuar me drogë, që është gëlltitur prej tij.

E kundërta pretendohet nga e ëma e të riut pas këqyrjes së trupit dhe nga miku i tij, i cili ka pohuar se 32-vjeçari është dhunuar barbarisht nga policia pas shoqërimit dhe se ai ka ndërruar jetë në komisariat.

Deri tani tre efektivë policie që kanë shoqëruar të rriun Lear Kurti janë pezulluar përkohësisht lidhur me vdekjen e tij.

Më poshtë është ajo çfarë dihet deri tani për ngjarjen e rëndë.

Mëngjesin e 20 tetorit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftim për dinamikën e ngjarjes

Mëngjesin pas ngjarjes, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore jepte njoftimin e parë mbi ngjarjen duke treguar versionin e saj të asaj që kishte ndodhur. Sipas saj, i riu ishte ndaluar për t’u verifikuar në rrugën ‘Riza Cuka’ por ishte larguar me vrap për t’u ndaluar pak çaste më pas nga policia që e kishte shoqëruar në komisariat.

Në njoftim pretendohet se i riu kishte shfaqur probleme shëndetësore sapo kishte mbërritur në komisariat dhe ishte dërguar në spitalin e Traumës me shpejtësi për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku edhe kishte ndërruar jetë.
Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore

“Informacion paraprak i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit. Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë. Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.”

20 tetor, Spitali i Traumës hedh poshtë versionin e policisë: 32-vjeçari mbërriti i vdekur në spital

20 tetor, babai i 32-vjeçarit akuza policisë

Babai i të riu pohoi një ditë pas ngjarjes së kishte dyshime të forta se i biri ishte dhunuar nga policia dhe se deri në atë çast nuk i ishte dhënë asnjë informacion për atë që kishte ndodhur.

Artur Kurti: Nuk e kam parë trupin e djalit, Kam qenë gjithë natën jashtë morgut dhe sot dhe nuk më kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi.

Gazetarja: A të kanë kontaktuar autoritetet?

Artur Kurti: Cilat autoritete? Ato që e kanë mbytur?! Ku ka shtet këtu. Gjeta ata të SHKB-së aty më thanë nuk dimë gjë, kur të bëhen ato… nga ora 10 ose 11 do të themi.

Gazetarja: Të thanë çfarë ka ndodhur?

Artur Kurti: Jo s’më dhanë asnjë përgjigje.

Gazetarja: Ku ishte Laerti?

Artur Kurti: Në rrugë të zotit ka qenë o motra ime. Nuk ka qenë asnjë person i rrezikshëm për ta trajtuar në ato lloj formash.

Gazetarja: A ka pasur djali yt probleme shëndetësore?

Artur Kurti: Jo asgjë. Djali ka qenë 2 metra si luan.

Pasditen e 20 tetorit AMP-ja e Prokuroria njoftim: Në stomakun e viktimës u gjet qese e bardhë e çarë

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet hetimore proceduriale në lidhje me ngjarjen ku shtetasi L.K., 32 vjeç ndërroi jetë pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë, nga të cilat rezulton se:

Në datë 19.10.2022, ora 23:07, punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar një person duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi. Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasi është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar. Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta. Në vijim, pasi është qetësuar, shtetasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore, gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës, ku është konstatuar humbja e jetës. Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar i gjithë itenerari dhe veprimet e punonjësve të Policisë nga momenti kur shtetasit i kërkohet të identifikohet deri në shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të policisë Nr 3. Ky itenerar pasqyrohet në pamjet filmike të admnistruara nga 5 kamera të vendeve të ndryshme, deklarimet e personave të pranishëm, mes tyre dhe dy shtetas shokë të viktimës, si dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë. Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes. Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç. Për sa më sipër, AMP nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon hetimet për të sqaruar dhe zbardhur shkakun e vdekjes dhe rrethana të tjera të ngjarjes.”

21 tetor, Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjen shkelje ne sjelljen e policisë gjatë shoqërimit të të riut

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) duke marrë shkas nga të dhënat e medias të datës 20.10.2022 mbi 32 vjeçarin L.K, sipas të cilave rezultonte se ai ishte shoqëruar ne Komisariatin e Policisë nr. 3 (Tiranë), dhe në vijim ishte dërguar në Spitalin e Traumës ku ishte konstatuar vdekja e tij, vlerësoi të nevojshme që këto të dhëna të verifikohen në vend. KSHH e sheh të nevojshme të përmendë se në rastin konkret, nuk ndodhemi as para shoqërimit, ndalimit dhe as para arrestimit në flagrancë, që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit. Nga të dhënat e verifikuara nga Raporti i shërbimit, i hartuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka rezultuar se gjendja jo e mirë shëndetësore e shtetasit L.K. është konstatuar nga forcat e rendit në orën 23:34. Duke patur parasysh sa më sipër, punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.”

Më 21 tetor pezullohen 3 policët që shoqëruan Kurtin

Vendimi u mor nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullakuka, i cili pezulloi për 3 ditë, 3 policët me inicialet D.H, S.N dhe E.S që shoqëruan të riun në mbrëmjen e së mërkurës në Komisariatin 3.

21 tetor Rama merr në mbrojtje policinë e sulmon opozitën

“Kanë që dje që akuzojnë Policinë e Shtetit se ka vrarë një djalë të ri, ndërkohë në mënyrën me korrekte dhe seriozë policia ka pezulluar personat që mos jenë të përfshirë në asnjë proces. Është ngarkuar agjencia përkatëse dhe nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë dhe gjithsesi të gjithë presim përfundimin, raportin e mjekësisë ligjore. Po si është e mundur, po çfarë lloj qeniesh janë këto, që ju dalin njerëzve si gogolë në ekrane e televizorëve. Në ato ekrane ku ju e shikoni, megjithëse flasin për një regjim që kontrollin gjithçka, praktikisht ne nuk kontrollojmë asgjë. Duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte në atë rast një tmerr i vërtetë të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan t’i nxjerrin rrugëve. Pasi në mëngjes dalin e vrau e vrau policia, del pasdite një deputet dhe tregon si regjimi i prish biznesin.”

Më 21 tetor zhvillohet protesta e parë e qytetarëve, kërkohen dorëheqjet e Ramës, Çuçit e Veliut

23 tetor nëna e 32-vjeçarit thotë se i biri është dhunuar

Nëna e Lear Kurtit, Fatmira Mustafa në një intervistë për gazetaren Klodiana Lala në News 24 ka folur për vdekjen e djalit të saj. Ajo tha se kur e parë djalin, ishte një tmerr, pasi ishte i dhunuar. Gjatë intervistës, Fatmira Mustafa tha se me atë çfarë ka parë beson se Learin e kanë dhunuar, pasi kishte marrë goditje të tmerrshme.

Nëna e Lear Kurtit: Ishte i mavijosur, një e qepur nallbançe. Kam parë një tmerr. Supozimet e mia janë këto që është i dhunuar. Seç nxjerrin këto kjo është e pabesueshme. Nuk e di, se janë të rinj, por kur e ndjejnë se ndiqen e hedhin, dhe jo të thonë se e ka gëlltitur. Pashë se kishte hematomë, ai është i grushtuar i sulmuar, edhe atë të kokës që kanë bërë ai ka marrë goditje të tmerrshme. Kam folur dje në darkë më një shokun e tij, edhe ai ishte i shokuar, Personin që rrinte me Learin e njihja. Se ka parë ngjarjen nuk e di. Por si nënë unë di të them se ai ka ikur i dhunuar. Unë këtë di të them, kanë frikë të rinjtë, shikojnë orën dhe thonë o bo bo. kjo lagja jonë është e sulmuar . Unë nuk hedh supozime, por me shenjat që kam parë di të them se dhunuar.” tmerrësisht.

Gazetarja: Kush dyshoni se e ka dhunuar?

Nëna e Lear Kurtit: Vetëm Policia. Atë e donin të gjithë shokët. Ishte pak nevrik, por shokët ia dinin natyrën dhe e pranonin siç ishte. Leari para 10 vitesh iu mbyll një çështje dhe doli i pafajshëm. i erdhi një letër që duhet të paraqitet në gjyq dhe më tha “duhet me ik jashtë se këta do më plasin brenda”. i thashë rri i qetë se kemi avokat. Më tha “çfarë jete është këtu, ke frikë të dalësh”. Policinë e kishte fobi, e kanë kapur disa herë edhe me shoqen e tij që kishte. Por e ndjente veten të pastër dhe fliste. Ai ishte i dhunuar.”

Gazetarja: Çfarë kërkoni nga institucionet?

Unë flas dhe ne emër të të gjitha nënave, që çdo të ri që kapin në rrugë, këta policët nuk e di janë të shkolluar, a janë prindër, por i kapin dhe përdorin forcën. Të rinjtë janë të tmerruar dhe prandaj ikin. Policia këtu është bërë e tmerrshme, nuk kanë siguri të rinjtë. Djali më thoshte “mami, po më erdhi e keqja, vetëm nga këta do më vijë”. Më thoshte “nuk më pëlqen kjo botë, ishte njeri me katër gjuhë”. Ai ishte fëmija i gjithë lagjes, të gjithë e donin. Ai nuk e meritonte këtë tmerr.

Gazetarja: Keni një apel?

Nëna e Lear Kurtit: Fëmijët janë të pafajshëm. Të rinjtë e sotëm janë shumë të mirë, por janë të tmerruar dhe nuk kanë siguri këtu. Nuk e mendoja kurrë vdekjen e djalit dhe sidomos në këtë mënyrë.

Gazetarja: Ka pasur disa protesta ditët e fundit…

Nëna e Lear Kurtit: Nuk i kam parë fare. kam qenë shumë i lidhur me çunin. Burrit i thashë “do jemi vetëm ne të dy, unë e di që ai është i dhunuar”. Prandaj kërkova ta shikojmë deri në fund masakrën që i bënë fëmijës.

23 tetor protesta e dytë lidhur me ngjarjen

23 tetor, miku i Lear Kurtit  jep dëshminë e tij për emisionin Piranjat në ABC lidhur me ngjarjen, pohon se i riu ëështë dhunuar barbarisht gjatë shoqërimit

Miku i 32-vjeçarit të ndjerë Lear Kurti, ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen për emisionin “Piranjat” në ABC. Sipas tij, shoku i tij është dhunuar gjatë shoqërimit ndërsa tregon atë që ka ndodhur.

“Pashë që ishin 3-4 patrulla.  Dhe pashë që po rrihej Leari barbarisht brenda makinës. Dëgjova, fjalët shpejt, shpejt se iku. E kanë shoqëruar vetë në spital. Leari ka mbaruar brenda në Komisariat. Në spital ka shkuar i vdekur. Unë isha me Learin atë natë. E kam takuar dy orë para ngjarjes dhe e lashë tek ish-Filanto. Unë do ikja për punët e mia dhe ai do ikte në punët e tij. Pastaj do të shkoja ta merrja prapë, se Leari ka ndenjur gjithmonë me mua. Dhe në momentin që po kaloja aty përball me spitalin në Laprakë, pashë që ishin 3-4 patrulla po rrihej Leari barbarisht brenda makinës. Leari më tha: ‘O noku lajmëro dikë se po na mbysin’.

Aty ka pasur kamera por nuk e di kush mund t’i ketë. Filmimet janë aty 100% e sigurt. Çfarë po bëni se është me sëmundje toke u thashë. Edhe më thanë ‘Kush je ti’. Shoku i vetë u thashë unë. Një nga policët tha ‘pse e lini të flasë ky?’. Ça ju dhimbset, Shoqërojeni dhe këtë. Jemi shoqëruar të dy njëkohësisht. Leari ishte në makinën e policies. Uë isha me timen se makinën e kishte efektivi i policisë. Ajo policja më tha ‘edhe kuksian edhe gangster’. Ti je femër i thashë unë. As nuk po të ofendoj dhe as nuk po them gjë. Thjesht po them që djali ka këtë lloj problemi, mos e prekni. Sepse do t’ju ngelë në dorë dhe ashtu ndodhi. I kam marrë vesh në komisariat detajet. Ai ju paska ikur 30 metra me vrap. Por 30 metra me vrap kushdo që të ishte po të kishte edhe një kg do ta hidhte. Ata duan të mbulojnë policinë. E ëma vetëm atë djalë ka pasur dhe duke dëgjuar të gjitha këto, që po jepen jo ju gjet drogë jo përdorues droge. Asaj po i del shpirti. Me shkelma me grushta e kanë goditur. Me numër tamam nuk e di por dy, tre patjetër. Një nga policët që ishte djalë i ri, 20-22 vjeç ishte gangster jo polic. E them sepse ai tha, ju nuk më njihni mua. Unë i thashë që je polic me uniformë. Mund të jesh kushdo, je polici i shtetit je për ta na mbrojtur jo për të na sulmuar. Learti ishte në pranga dhe nuk ka bërë rezistencë fare. Për pjesën e epilepsisë e kam marrë vesh para dy javësh. Kur i ndodhi, e kemi dërguar në spital. Këtë pyetjet ma bëri edhe drejtori i AMP, Ardi Veliu, dhe më tha nëse kam parë që makina mund të ketë patur lëkundje? Unë i thash që rrugët tona janë të gjithë gropa. 3-4 minuta mbrapa kur kam mbërritur në komisariat. Nuk kam fol dot se Leari ka qenë i shtrirë dhe pa ndenja. Po përpëlitej. Më mbyllën derën. Nuk i kanë dhënë asnjë lloj ndihme. Dëgjova ‘shpejt, shpejt se iku. U alarmua i gjithë komisariati… iku Leari. Po, aty ka dhënë shpirt në komisariat. Shpirti i ka dalë brenda rajonit të policisë së komisariati numër 3. E njoh shumë mirë shokun tim. Sigurisht mund t’i ketë fol me tone të ashpra dhe këta mund të jenë acaruar dhe mund të kenë gjuajtur. Ama duhet ta pranojnë. Këta nuk prekin në fytyrë as në kokë por nga brinjët.”