Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti, prokuroria e Tiranës nis hetimet


Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti mbrëmjen e së mërkurës, 19 tetor 2022.

Sipas organit të akuzës po hetohen policët që kanë shoqëruar të riun për veprën penale ‘kryerje e veprimeve arbitrare’ si dhe mjekët e infermierët e Spitalit të Traumës për ‘mosdhënie ndihme’.

Po kështu në njoftimin e prokurorisë thuhet se nga ekspertiza është faktuar se qesja e gjetur në stomakun e viktimës ka rezultuar të ketë pasur gjurmë kokaine.

Mëngjesin pas ngjarjes Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi se i riu kishte ndërruar jetë në spitalin e Traumës ndërsa ky i fundit e hodhi poshtë duke theksuar se 32-vjeçari kishte mbërritur pa shenja jete aty.

Njoftimi

“Mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë ka regjistruar proçedimin penal Nr.7671/2022 për veprën penale “kryerje e veprimeve arbitare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K.Penal.

Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i kqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qëndrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti. Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.”