Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e Lear Kurtit/ Ilir Meta: Të procedohet Ardi Veliu, qeveria dhe policia e Ramës po tenton të fshehë të vërtetën


Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka ngritur disa pyetje sot mbi vdekjen e Lear Kurtit gjatë shoqërimit të tij nga Policia në Komisariat.

Ai ka akuzuar qeverinë dhe policinë se duan të mbulojnë një krim flagrant shtetëror.

“Rastin tronditës të humbjes së jetës së Lear Kurtit, qeveria dhe policia e Ramës po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme për të mbuluar një krim flagrant shtetëror.”- tha ish-presidenti.

Meta u shpreh se ka qenë “policia e patronazhistëve” ajo që ka shkaktuar vdekjen e 32-vjeçarit.

Ai u bëri thirrje mediave dhe shoqërisë civile të monitorojë hetimin mbi ngjarjen, ndërsa thekson se zgjidhja e vetme e kësaj situate është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi. Po ashtu Meta kërkoi më tej procedimin e drejtorit të AMP, Ardi Veliu.

“Të procedohet Ard Veliu manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës. Prokuroria duhet të zbardhë tërësisht ngjarjen, jashtë çdo ndërhyrjeje dhe presioni qeveritar dhe policor. Avokati i Popullit duhet të bëjë sa më parë transparencën e gjithë kësaj ngjarjeje kriminale me pasoja tragjike. Koha nuk pret për të parandaluar vrasje të tjera të qytetarëve nga policia e patronazhistëve të Edi Ramës që atij i duhet vetëm për të vjedhur votat dhe për të dhunuar qytetarët e Shqipërisë. Koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi dhe tragjedi të tjera për familjet shqiptare dhe tronditje të tjera për të gjithë opinionin shoqëror në vendin tonë. Ndaj i bëj thirrje medias dhe shoqërisë civile të monitorojnë hetimin dhe njëkohësisht të ecim të gjithë së bashku në transparencë të plotë deri në ndëshkimin e autorëve të kësaj tragjedie që mban vetëm një emër policia patronazhiste e Edi Ramës.Të rinjtë shqiptarë meritojnë modele sinqeriteti e guximi.”- tha kryetari i PL-së.

Natën e 19 tetorit 32-vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë pas shoqërimit nga policia.

E gjithë ngjarja është ende e mbushur me paqartësi duke qenë se nuk dihet ende shkaku i vërtetë i vdekjes së të riut.

Pas ngjarjes policia pretendoi se i riu kishte ndërruar jetë në spitalin e Traumës, por spitali e hodhi poshtë duke theksuar se 32-vjeçari kishte mbërritur pa shenja jete aty.

DEKLARATA E PLOTË E METËS

Rastin tronditës të humbjes së jetës së Lear Kurtit, qeveria dhe policia e Ramës po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme për të mbuluar një krim flagrant shtetëror.

Po tentohet të fshihet e vërteta, ndërsa është ende shumë e fresket në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, vrasja makabër e Klodian Rashës dhe mashtrimi i policisë së Ramës dhe Ministrisë së Brendshme.

E mbushur me patronazhistë, të frymëzuar dhe të mbështetur politikisht nga arroganca e kryeministrit dhe sjellja dhe qëndrimet e njëjta me të dhe të Ministrit të Brendshëm, policia sot nuk shihet më si një institucion që mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por si kërcënim kriminal për ta.

Mbi bazën e disa fakteve publike ulëritëse, që rëndojnë edhe më shumë paligjshmërinë ku është zhytur policia e Ramës, natyrshëm shtrohen disa pyetje.

Cila është arsyeja që policia deklaroi që i riu vdiq në spital, ndërkohë që spitali konfirmoi se ka ardhur i vdekur?

Cilët janë arsyet që autopsia u bë para kohës së detyruar me ligj, sepse autopsia është bërë 5 orë pas vdekjes dhe jo 12 orë sipas ligjit? Dhe u bë nga një ekspert i vetëm, ndërkohë që duhej të bëhej nga një grup ekspertësh?

U përdor si argument që në trupin e të ndjerit u gjet një qese plastike me kokainë, ndërkohë që për arritjen e konkluzioneve, duhet patjetër të kompletohen të gjitha analizat toksikologjike, për të vërtetuar nëse substanca ishte vërtet kokainë dhe e dyta cila ishte niveli i saj në gjak?

Duke qenë se vendngjarja ishte jo më larg se 100 metra nga spitali i Traumës, përse nuk u transportua direkt në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por u dërgua direkt në komisariat.

Si është e mundur dhe si ka mundësi që është lejuar që edhe në krevatin e spitalit, i shtruar, Lear Kurti ka qenë me pranga në duar?!

Disa pyetje:

A kanë pasur kamerat trupi punonjësit e policisë dhe çfarë evidentojnë ato?

A kanë funksionuar kamerat në komisariat dhe çfarë evidentojnë ato?

A ka pasur komunikim të patrullës me sallën operative dhe a është i regjistruar ky komunikim?

Nëse është e vërtetë që i riu ka gëlltitur qesen, përse nuk u pritën analizat toksikologjike për të vërtetuar llojin e lëndës narkotike dhe sasinë e saj në gjak?

Pse u ndryshua versioni nga sëmundje zemre në epilepsi e më pas te ‘gëlltitja e qeses’?

A ka patur prezencë të përfaqesuesit ligjor të familjes gjatë autopsisë? A është marrë miratimi i familjes për kryerjen e autopsisë?

A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës?

Janë tronditëse dëshmitë e shokut të ngushtë, prezent në vendngjarje dhe nënës së tij, të cilat pasqyrojnë më së miri veprimet barbare dhe të dhunshme të policisë së Ramës.

Ishte policia e Ramës që shkaktoi vetëvrasjen e 31-vjecarit Ilvi Meta në paraburgimin e Kavajës.

Ishte policia e Ramës ajo që vrau 27-vjeçarin Enea Ftoi, babain e tre fëmijëve në Komisariatin e Korçës.

Ishin policët e Ramës që i morën jetën vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë.

Është policia e Ramës që dhunon të rinjtë e të rejat në protesta të drejta dhe legjitime, i dhunojnë me policë të maskuar me xhupa dhe kapuç të zinj, që sillen si kriminelë dhe që nuk kursejnë as gazetarët me dhunën e tyre në prani të kamerave. 

Kjo situatë kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues personalisht Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimit shtetëror të përsëritur. 

Të procedohet Ard Veliu manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës. Prokuroria duhet të zbardhë tërësisht ngjarjen, jashtë çdo ndërhyrjeje dhe presioni qeveritar dhe policor. Avokati i Popullit duhet të bëjë sa më parë transparencën e gjithë kësaj ngjarjeje kriminale me pasoja tragjike. Koha nuk pret për të parandaluar vrasje të tjera të qytetarëve nga policia e patronazhistëve të Edi Ramës që atij i duhet vetëm për të vjedhur votat dhe për të dhunuar qytetarët e Shqipërisë. Koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi dhe tragjedi të tjera për familjet shqiptare dhe tronditje të tjera për të gjithë opinionin shoqëror në vendin tonë. Ndaj i bëj thirrje medias dhe shoqërisë civile të monitorojnë hetimin dhe njëkohësisht të ecim të gjithë së bashku në transparencë të plotë deri në ndëshkimin e autorëve të kësaj tragjedie që mban vetëm një emër policia patronazhiste e Edi Ramës.Të rinjtë shqiptarë meritojnë modele sinqeriteti e guximi.